Kore, kapiteni i tragetit kërkon falje

19/04/2014 00:00

Kapiteni i tragetit koreano-jugor që u mbyt më herët gjatë javës deklaroi se e kishte vonuar urdhërin e evakuimit nga frika se pasagjerët do të dilnin nga kontrolli.

Lee Joon Seok, 69 vjeç, u arrestua bashkë me dy anëtarë të tjerë të ekuipazhit ditën e premte. Ai është kritikuar për faktin se nuk e dha urdhërin e evakuimit në kohën e duhur.

Kapiteni përballet me disa akuza, përfshirë atë të neglizhencës në detyrë dhe shkeljes së rregullave detare. Kapiteni Lee, që edhe më herët është marrë në pyetje nga policia, u shfaq të shtunën në televizion pas arrestimit.

“Më vjen keq për popullin koreano-jugor, të cilit i kam shkaktuar një shqetësim kaq të madh. Përulem dhe kërkoj ndjesë para familjarëve të viktimave”, tha ai.

Ndërkohë, ditën e shtunë polumbarët raportuan se kishin parë më shumë trupa të pajetë brenda anijes por pa mundur t’i rekuperonin ata. Numri i personave të humbur është 273, të vdekurit e konfirmuar janë 29 persona, ndërsa ata të shpëtuar janë 174.

Operacionet e shpëtimit kanë hyrë në ditën e katërt, por autoritetet deklarojnë se moti i keq dhe rrymat e forta e bëjnë punën më të vështirë.

Hetuesit janë fokusuar në manovrën e shpejtë që mjeti lundrues bëri përpara se të fillonte të fundosej dhe në pistën nëse urdhëri i evakuimit mund të kishte shpëtuar jetë. Pamje nga anije tregojnë udhëzimet që anëtarët e ekuipazhit u japin pasagjerëve që të qëndrojnë në bord.

Trageti “Sewol” po lundronte nga lokaliteti Inçeon, në veri-perëndim të vendit, drejt ishullit Jeju, kur papritur u përmbys dhe u fundos brenda dy orëve.

Top Channel