Zgjatja e misionit të EULEX-it edhe për një periudhë 2 vjeçare, por edhe aktualiteti në lidhje me Gjykatën Speciale që do të krijohet dhe mandati i saj është kryefjalë në Prishtinë.

Mbi këto çështje ka folur në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” Naim Rashiti, ekspert për sigurinë.

Pandi Gjata: Një zgjatje edhe për 2 vite të mandatit të EULEX-it, a e shikoni si problem? 

Naim Rashiti: Është pritur që këtë herë do të kishte një zvogëlim të mandatit të EULEX-it. Megjithatë 2 çështjet që kanë mbajtur peng këtë proces janë Gjykata Speciale dhe implementimi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, kjo ka ndikuar që të ketë shkurtime edhe më të mëdha. Institucionet Kosovare nuk kanë treguar ndonjë sukses të madh në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, kjo është një arsye më shumë që ndërkombëtarët nuk ka dhënë besimin e tyre në lidhje me institucionet e Kosovës.

Pandi Gjata: Kur flasim për krijimin e Gjykatës Speciale të Kosovës, i referohem letrës që Ashton i dërgoi Presidentes Jahjaga, por shqetësimi më i madh ishte mos përcaktimi i afatit se për sa kohë kjo gjykatë do të hetojë krimet e supozuara të UCK-së. Ju e shihni si problem mos përcaktimin e afatit të kësaj gjykate?

Naim Rashiti: Fati i gjykatës është i lidhur me fatin e EULEX-it. Jo domosdoshmërish pas 2 vjetëve do të kemi largim të EULEX-it nga Kosova sepse kjo gjykatë do të duhet të ketë një qendër administrative dhe natyrisht, kjo do të jetë Brukseli dhe EULEX-i. Mandati i gjykatës përcaktohet me statutin e saj sepse ajo duhet të jetë autonome dhe në statutin e tanishëm të gjykatës ajo do të ketë së paku një mandat 5 vjeçar, kjo do të thotë që edhe EULEX-i do të qëndrojë 5 vjet.

Pandi Gjata: Ju e shikoni si problematike vijimin e mandatit të EULEX-it, por edhe mandatin 5 vjeçar të gjykatës?

Naim Rashiti: Problemi më i madh i EULEX-it është roli i tyre në implementimin e marrëveshjeve të dala nga bisedimet me Beogradin sepse EULEX mbetet palë e tretë në të gjitha marrëveshjet e dala. Edhe pse gjykata do të ketë një mandat 5 vjeçar është treguar, me tribunalin për ish-Jugosllavinë, 2 herë i është zgjatur mandati dhe natyrisht që ka rrezik sepse nëse nuk është e përkufizuar në kohë mund të kemi një qëndrim më të gjatë të sajë dhe për rrjedhojë edhe të EULEX-it.

Pandi Gjata: Tre komuna në veri të Kosovës, ajo e Zveçanit, Leposaviçit, por edhe e Zubin Potokut kanë miratuar në limitet kohore statuset komunale, nuk është miratuar vetëm nga Mitrovica e Veriut. Në këtë situatë si e shikoni gjendjen enë veri, ku menjëherë pas miratimit të këtyre statuseve atyre i lind e drejta për të krijuar edhe asosacionin e përbashkët apo jo?

Naim Rashiti: Shpesh herë faktori ndërkombëtare e lidh fatin e EULEX-it me veriun, por tashmë veriu nuk është më i interesuar të bashkëpunojë me EULEX-in. Tre komunat kaluan statutet e tyre, pritet që brenda 7 ditëve të dorëzohen ndryshimet e bërë. Meqenëse zgjedhjet janë përsëritur në Mitrovicë ato kanë edhe pak kohë. Ne Beograd nuk ka një pozicion të qartë, aktorë të ndryshëm kanë pozicione të ndryshme. Duhet theksuar se komunat serbe në të gjithë territorin e Kosovës kanë liderët e tyre.

Pandi Gjata: Duke pasur parasysh që shumica e liderëve politikë e kanë nisur fushatën e tyre për zgjedhjet parlamentare. Si do të ndikojë tek zgjedhësit e Kosovës në këtë garë elektorale EULEX-i dhe Gjykata Specifike?

Naim Rashiti: EULEX-i në 15 Qershor duhet të fillojë mandatin e ri dhe nuk mendojë se ai do të ndikojë në fushatën zgjedhore. Asgjë konkrete nuk do të ndodh para mbajtjes së zgjedhjeve. Parlamenti i Kosovës këtë herë miraton mandatin e EULEX-it dhe ligjëron krijimin e gjykatës, por pas zgjedhjeve priten negociatat dhe marrëveshja bilaterale me qeverinë e Holandës për krijimin e dhomës së veçantë të Gjykatës në Hagë, prandaj i tërë procesi mbetet pas zgjedhjeve. Pavarësisht kush do të fitojë do të jetojë me zhvillimet e kësaj gjykate.

Top Channel