BSH: Rikthehet optimizmi në ekonomi

18/04/2014 00:00

Banka e Shqipërisë deklaron se muajt e parë të vitit kanë shënuar një rritje të fortë të optimizmit në ekonomi.

Në vrojtimin e fundit për besimin e biznesit dhe konsumatorëve, Banka raporton se në tremujorin e katërt treguesi i ndjesisë ekonomike që mat perceptimin e biznesit dhe individëve për gjendjen e ekonomisë u rrit me ritme rekord prej 13.4 për qind.

Sipas Bankës, ky përmirësim ka ardhur për shkak të rritjes së optimizmit tek bizneset në të gjithë sektorët e ekonomisë. Për sektorin e industrisë, treguesi i besimit në ekonomi është rikthyer për herë të parë pas vitit 2010 në nivelin e mesatares afatgjatë. Sipas Bankës, ndërmarrjet në sektorin industrial kanë raportuar rritje të prodhimit, rritje të kërkesës dhe përmirësim të gjendjes së tyre financiare.

Sipas vrojtimit, rezulton se përmirësim të fortë ka edhe në sektorin e ndërtimit, ku kompanitë që operojnë në këtë fushë raportojnë për rritje të investimeve, por edhe kërkesës. Banka Qendrore thotë se rritje dyshifrore në treguesin e besimit ka edhe për sektorët e shërbimeve dhe tregtisë.

Por, ndryshe nga bizneset, individët kanë qenë më të rezervuar për situatën ekonomike. Treguesi i besimit të konsumatorëve, sipas vrojtimit, shënoi një rënie të lehtë në tremujorin e parë të vitit me rreth 0.3 për qind, pasi sipas Bankës së Shqipërtië pritjet që individët kanë për situatën financiare në tremujorin e ardhshëm u tkurrën me 2.5 për qind.  

Rritja e fortë e optimizmit tek bizneset në tremujorin e parë vjen pasi ekonomia la pas një nga vitet më të vështira të dy dekadave të fundit siç ishte 2013. Por, ky rikthim i optimizmit përkon edhe me hedhjen masive të likuiditetit në treg nga buxheti, përmes shlyerjes së detyrimeve të prapambetura që shteti kishte akumuluar ndaj sipërmarrjes.     

Top Channel