F1, Alonso: Kemi bërë një hap më shumë

18/04/2014 00:00

“Pavarësisht nga performancat e të tjerëve, jam i kënaqur me punën që kemi bërë”.

Këto kanë qenë fjalët e para të Fernando Alonso-s, i cili gjatë provave të lira të së premtes, përpara provave zyrtare dhe garës së Çmimit të Madh të Kinës (Shangai), ka treguar shenja inkurajuese të një rikthimi të Ferrari-t të tij, duke realizuar kohën më të mirë të sesionit të parë dhe të dytën më të mirë pasdite.

Spanjolli e mbyll me një batutë: Nëse nesër bie shi, atëherë mund të tërhiqemi!

Fernando Alonso, siç raporton uebsajti i skuderisë të Maranello-s, shton: “Në çdo garë, të gjitha skuderitë sjellin diçka të re, ndaj dhe ne duhet të bëjmë një hap më shumë, nëse do të duam të jemi kompetitivë. Kjo është një pistë tepër kërkuese nga gomat, mbi të gjitha ato “soft” (të butat) vuajnë veçanërisht në ecjet e gjata e të shpejta, kështu që do të jetë e rëndësishme të kuptojmë se cilat do të përdorim të dielën. Nëse të shtunën do të bjerë shi, me siguri do të kemi më pak informacione për garën, ndaj dhe mund të tërhiqemi. Shpresojmë të bëjmë zgjedhjet e duhura”, ishte deklarata e plotë e spanjollit.

Top Channel