Të gjithë kritikojnë Gjyqësorin

18/04/2014 00:00

Cilësia e vendimeve gjyqësore nuk është në nivelet e kërkuara, shpesh ka vendime të paarsyetuara, jo objektive, kontradiktore dhe të cënueshme nga gjykatat më të larta.

Sipas Kryetarit të Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, përvec korrupsionit, gjyqësori shqiptar i lodh palët në gjykim me vendime që gjykohen e rigjykohen për vite me radhë. Gjatë Konferencës Gjyqësore Kombëtare, kryetari i Gjykatës së Lartë u shpreh se Gjykata e Lartë nuk duhet të punojë nën presionin e volumit të cështjeve, një refren ky i përsëritur edhe nga paraardhësja e tij, pasi ende në këtë gjykatë po shqyrtohen cështje të 2011, duke lënë palët në pritje për më shumë se dy vjet. Në këtë pikë Zaganjori i bëri apel Kuvendit:

“Në këtë drejtim besoj dhe shpresoj se, në zbatim të ndryshimeve që i’u bënë ligjit të Gjykatës së Lartë vitin që kaloi, më në fund do të mund të emërohen në këtë gjykatë edhe 2 gjyqtarë të tjerë, duke çuar numrin e tyre në 19 të tillë. Përveç kësaj, ashtu siç parimisht është rënë dakord, do të donim shumë që ndryshimet në ligjin “Për gjykatat administrative” të kalonin në Kuvend sa më parë, pasi praktikisht, veçanërisht çështja e njoftimit të palëve për trajtimin e çështjeve në dhomën e këshillimit të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë është bërë pengesë serioze e punës sonë. Vetëm për këtë shkak, Kolegji në fjalë nuk është në gjendje të trajtojë prej rreth 6 muaj minimalisht disa qindra çështje me natyrë administrative”, tha Xhezair Zaganjori, kryetar i Gjykatës së Lartë.

Për problemet që shqetësojnë drejtësinë akoma më i drejtpërdrejtë ishte Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, sipas të cilit nuk mund të promovohen gjyqtarë sipas humorit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

“Në kuadrin e implementimit të reformave do të kërkoja mbështetjen e kësaj konference, në përpunimin e rregullave të etikës, në vijim të ndryshimeve të ligjit për konferencën gjyqësore, për shmangien e konfliktit të interesit të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Besoj se edhe juve e konsideroni të papranueshëm faktin që të zgjedhurit tuaj në KLD të shfrytëzojnë mandatin dhe besimin duke promovuar vetveten. Është gjithashtu e pandershme, që të përdoren artifica ligjore për t’iu shmangur frymës së ligjit dhe për të lejuar konfliktin e interesit midis anëtarëve të KLD-së”, tha Nasip Naço.

Ndërkohë për Presidentin e Republikës, termi reformë në drejtësi duhet të përdoret vetëm në kuptimin për t’i shërbyer asaj dhe askujt tjetër.

“Do të duartrokisja fort reforma që do të kishin të bënin me krijimin e mekanizmave që të përshpejtonin zbardhjen e vendimeve dhe do të kalonin çështjet e zbardhura te gjyqtari. Është e pajustifikueshme që sot, gati 6 muaj pas fillimit të funksionimit të gjykatave administrative, është bllokuar procesi i emërimit të këshilltarëve në këto gjykata. Do të vlerësoja maksimalisht çdo reformë që do të kishte të bënte me orientimin e specifikimit dhe trajnimit të punës së gjyqtarëve në grupe të caktuara, siç janë minorenët, të cilët meritojnë një trajtim më të veçantë nga gjykatat. Në procedurë, sjellje institucionale, natyrisht që problematikat që vijnë në tryezën e çdo gjyqtari janë të ndryshme, por jam i bindur që proceset e verifikimit, të vlerësimit, të kontrollit, auditimit ligjor mbi ta, janë procese që kërkojnë përmirësim të vazhdueshëm”, theksoi presidenti Bujar Nishani.

Pas një dite të gjatë raportimesh Konferenca Gjyqësore Kombëtare doli në përfundimin se gjyqtarët mbështesin cdo nismë të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv për reformimin e pushtetit gjyqësor, por me kushtin që nismat e mësipërme të jenë objekt diskutimi paraprak me trupën gjyqësore.

Gjyqtarët shprehen të vetdijshëm për rëndësinë e ndëshkueshmërisë së fenomeneve korruptive dhe distancohen prej tyre duke mbëshetur ndëshkimin e autorëve të tyre. Por, thuhet më tej në konkluzione, duke mirëkuptuar shqetësimin dhe kritikat e faktorëve politikë dhe ndërkombëtare, kërkohet që kritikat për fenomenet korruptive të mos kthehen në fushate fajësimi kolektiv, por të adresohen në mënyrë konkrete, ndërkohë që kërkohet që në një nga mbledhjet e ardhshme të KLD të hyjë në rend dite cështja e mbivendosjes së dy inspektoriateve.

Top Channel