Schumi, familjes i dorëzohen sendet personale

18/04/2014 00:00

Pas pothuajse 4 muajsh prej incidentit të tmerrshëm të Meribel-it, në Zvicër, kaska (mbrojtësja e kokës) e mbajtur nga Michael Schumacher, e cila u nda në 3 pjesë pas rrëzimit, i është dorëzuar nga hetuesit familjarëve të ish-kampionit të Formula 1.

Lajmi bëhet i ditur nga shtypi gjerman. Autoritetet kanë kthyer edhe sende të tjera personale, mes të cilave mbrojtësja e shpinës, që ish-ferraristi mbante veshur në atë ditë të “zezë” 29 Dhjetori.

Megjithatë, i pazëvendësuar në familjen e tij mbetet vet Schumi, i cili vazhdon të jetë i shtruar në spitalin e Grenoble-s, në Francë.

Gjendja e tij shëndetësore, bazuar në deklaratat e fundit të menaxheres së tij Sabine Kehm, është përmirësuar disi. “Jemi përpara një progresi të ngadaltë e të vogël, por që na jep shpresë”, është shprehur zëdhënësja e pilotit, gjatë një transmetimi televiziv.

Michael pësoi një aksident të rëndë me ski, teksa përplasi kokën në disa shkëmbinj. Kërkesa për të hedhur dritë mbi rënien e tij është arkivuar nga Prokuroria e Alberville pak muaj më parë, pa shpallur askënd fajtor.

Top Channel