Të tjera para nga “Piramidat”

18/04/2014 00:00

Procesi i kthimit të parave të kreditorëve të firmave piramidale ende vijon.

Administratori i Shoqërive Huamarrëse, Zeni Tollazhani deklaron se kohët e fundit është mbyllur procesi i likuidimit për disa kompani dhe se qytetarët sipas listave të afishuara, sipas kohës, mund të fillojnë të tërheqin paratë.

Por sipas zotit Tollozhani i gjithë procesi do të mbyllet në fund të vitit 2017.

“Kjo administratë është pothuajse në mbyllje të procedurës. Pasi shumë kompani ne i kemi çuar në gjykatë, një nga ato është ‘Sudja’, 3 të tjera janë të mbyllura, 2 janë në shqyrtim. Më pas ngelen për t’u trajtuar “Vefa”, “Silva”, “Cena”,“Gjallica” dhe “Xhaferri”, të cilat kanë asete të pa shitura”, tha  Zini Tollozhani, administrator i Shoqërisë Huamarrëse.

I pyetur për asetet e firmave piramidale të dërguara për shitje Tollozhani deklaron. “Nga të gjitha kompanitë, ne kemi 25, janë banesa, janë troje si edhe magazina. Vlera e këtyre aseteve është brenda vlerës së përcaktuar koeficienti me VKM. Presupozohet se kjo vlerë është marrë dhe është brenda sasisë së parave që do të shpërndahen”.

Zoti Tollozhani nuk mund të bëjë publike sasinë e parave që do të shpërndahen pasi shuma do të varet nga ecuria e ankandeve që do të zhvillohen, por thotë se në bazë të koeficientit të përcaktuar çdo kreditor do të marrë përqindjen e depozituar.

“Kompania ‘Vefa’ e ka 11%, ‘Silva’ 25.15%, ‘Gjallica’ 2.41%, ‘Kamberi’ 7.2%, ‘MLeka’ 34%, ‘Populli’ 60% dhe ‘Xhaferri’ 40%”, deklaroi zoti Tollozhani.

Në fund administratori i Shoqërive Huamarrëse u bëri thirrje kreditorëve që t’i drejtohen bankave për të marrë paratë e tyre në bazë të koeficientit të përcaktuar.

Top Channel