Akuzat për drogë nga Gjadri

17/04/2014 00:00

Pas akuzave të opozitës për përdorimin e infrasktrukturës ushtarake në trafik droge ka ardhur edhe reagimi i Ministrisë së mbrojtjes.

Zv.ministri Dritan Hila ka udhëtuar drejt aerodromit të Gjadrit, bashkë me përfaqësues të Forcave të Armatosura për të parë më nga afër nëse atje ka shenja të uljes së ndonjë avioni në pistë.

Edhe pse sipas tij ky aerodrom nuk plotëson asnjë standard për uljen e mjeteve fluturuese, Hila mohoi të gjitha akuzat e opozitës duke thënë se ato janë fare të pabaza dhe në rast se opozita disponon prova, siç dhe pretendon, le t’i publikojë ato.

“Është e pamundur sepse jo më kot ju prumë këtu t’ju tregonim se pista është e mbushur me mbeturina, që e bëjnë të pamundur për të ulur avionin. Këto mbeturina e çajnë gomën e avionit dhe për më tepër pista është në një zonë të banuar, që shihet nga banorët vendas”, deklaroi Hila.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve rreth faktit se si do të pritet ky lajm nga ndërkombëtarët dhe konkretisht nga Brukseli, Hila tha se Brukseli nuk e merr dizinformin as për shaka. “Brukseli nuk i merr as për shaka këto. Janë shaka pa kripë”, u shpreh Hila.

Nga ana tjetër, opozita vijon të insistojë se ka prova të pakundërshtueshme që infrasktruktura ushtarake është përdorur për trafik droge dhe i kërkon qeverisë të tregojë nese ka informacion dhe çfarë masash ka marrë.

Braçe: S’ka prova për trafik të ushtrisë

I ftuar në studion e edicionit qendror informativ në Top Channel, deputeti socialist Erion Braçe deklaroi se nuk ka asnjë dokument të shërbimeve informative, qoftë të ushtrisë, qoftë shtetëror që të implikojnë ushtrinë në aktivitetin e trafikut të lëndëve narkotike.

“Së pari më lejoni të them se nuk ka  asnjë dokument që të implikojë Forcat e Armatosura si organizatore apo lehtësuese të trafikut të drogës”, tha Braçe.

Duke u ndalur tek dokumenti të cilit i referohet opozita, Braçe tha se ajo që është më e rëndë në këtë histori nuk është përmbajtja e tij, por mënyra se si është deklasifikuar dhe më pas është dorëzuar, sipas tij, në zyrat e Partisë Demokratike.

“Dokumenti është një letër që është deklasifikuar në mënyrë të paligjshme dhe i është dorëzuar Partisë Demokratike. Sot zoti Imami i referohet pikërisht asaj letre dhe i referohet në dy periudha, periudhën tetor 2012 e në vijim. Dokumenti është dërguar nga Shërbimi Informativ i Ushtrisë në tetor 2013, që i referohet një ngjarje të tetorit 2012 dhe në vijim dhe rasti tjetër i referohet marsit të 2014”, deklaroi ai.

Në fund të fjalës së tij, si deputet i zonës nga ku opozita akuzon se Forcat e Armatosura janë përfshirë në trafik droge, Braçe siguron se nuk ka asnjë mundësi që të ulen avionë në këtë zonë.

Ai tha se me këto akuza po cënohet dinjiteti i Forcave të Armatosura dhe i kërkoi Presidentit të Republikës, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të tyre, që të ndërhyjë duke vendosur në vend dinjitetin dhe nderin e FA dhe të kontrollojë shërbimet informative.

Top Channel