Nëna shpëton vrasësin e djalit

17/04/2014 00:00

Një i ri iranian i shpëtoi vdekjes në sekondat e fundit, pasi nëna e viktimës vendosi ta falë atë.

Imazhet që mbërrijnë janë rrënqethëse. 20-vjeçari Balal ishte shpallur fajtor për vrasjen e një bashkëmoshatari në zënkë e sipër. I shoqëruar nga forcat e sigurisë, me sytë e duart e lidhura dhe me thirrjet për mëshirë, ai u vendos në vendin e ekzekutimit.

Rojet e hipën mbi stolin mbështetës, i vunë në qafë litarin e vdekjes dhe sipas ligjeve vendase duhej të ishin familjarët e viktimës ata që do t’i bënin goditjen përfundimtare stolit në sytë e turmës së mbledhur për të parë.

Por nuk ndodhi kështu. Në momentet e fundit, mes lotësh nëna e viktimës në vend të vdekjes e dënon të riun me disa shpulla dhe më pas e fal atë. E pikëlluar ajo largohet duke rrëfyer se një natë më parë i kishte dalë në ëndërr djali i saj që nuk jeton më që i kishte kërkuar të mos hakmerrej “sepse ai tani ndodhej në një vend të mrekullueshëm”.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel