Mazhoranca i jep fund pritjes së opozitës

17/04/2014 00:00

Mazhoronca i jep fund pritjes së opozitës për të marrë pjesë në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën administratrativo-territoriale të vendit.

Top-Channel ka siguruar projekt/vendimin e dorëzuar paraditeten e së enjtes në sekretarinë e Kuvendit, nga kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, për të ndryshuar formulën aktuale të përbërjes së këtij komisioni: 8 antarë nga mazhoranca dhe 8 nga opozita.

Në nenin 1 të këtij projekt/vendimi thuhet: “Komisioni i Posaçëm ngrihet mbi bazën e përfaqësisë pozitë-opozitë. Në përbërje të tij do të ketë 17 anëtarë, nga të cilët 9 janë përfaqësues të pozitës (7 PS dhe 2 LSI) dhe 8 përfaqësues të opozitës (6 PD, 1 PR dhe 1 PDIU). Një tjetër ndryshim lidhet edhe më shtyrjen e afatit të punës të këtij komisioni”.

Veprimtaria e Komisionit të Posacëm, thuhet në projektvendim shtyhet deri në datën 24.06.2014. Në relacionin shoqërues të projekt/vendimit argumentohet se pavarësisht nga kërkesat e herë pas hershme të pozitës parlamentare, opozita parlamentare e ka bllokuar ngritjen e këtij Komisioni, i cili synon të realizojë një proçes tejet të domosdoshëm për shtetin dhe shoqërinë shqiptare, një ndarje të re administrativo-territoriale, mbështetur mbi standardet më të mira bashkëkohore evropiane, të adaptuar në realitetin shqiptar dhe në përmbushje të detyrimeve të cilat rrjedhin nga procesi i stabilizim-asociimit midis Shqipërisë dhe BE-së.

“Ndodhur përpara një bllokimi të këtij procesi, si dhe mos funksionimit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar, mazhoranca parlamentare, me ndryshimet e propozuara në Vendimin Nr.1/2014, ka si qëllim zhbllokimin dhe vënien në ecuri të këtij procesi, si dhe fillimin e punës së këtij Komisioni”, thuhet në relacionin që mban firmën e Gramoz Ruçit.

Duke iu referuar relacionit, pavarësisht këtij hapi të ndërmarrë nga maxhoranca, opozitës nuk i mbyllet dera në mënyrë absolute për pjesëmarrje në këtë komision.

“Por pavarësisht këtij ndryshimi në përbërjen e Komisionit, pozita merr përsipër që të garantojë se ky raport do të ndryshohet në momentin e parë, që opozita shprehet e gatshme dhe kërkon barazinë e përfaqësimit pozitë-opozitë në këtë Komision, duke siguruar respektimin e parimit të barazisë pozitë-opozitë, si në përbërje ashtu dhe në vendimarrje”, theksohet në relacion.

Ndërsa shtyrja e afatit të punës së këtij komisioni argumentohet si më poshtë në dokument: “Ndryshimi i propozuar sjell edhe një shtyrje të afatit të veprimtarisë së këtij Komisioni (pika 5), me qëllim zhbllokimin e këtij procesi, si dhe krijimin e mundësive që opozita në çdo moment të ushtrojë të drejtën për të kërkuar ndryshimin e këtij përfaqësimi, mbi bazë të barazisë së anëtarësisë pozitë-opozitë”. Pritet që ky projekt/vendim të diskutohet në seancën e ardhshme të Parlamentit.

Top Channel