Epidemia e pikave të karburantit

17/04/2014 00:00

Pikat e tregtimit të karburanteve nuk do të liçencohen më nga pushteti vendor. Ministria e Energjitikës ka përgatitrur një projektligj, i cili centralizon liçencimin e pikave të tregtimit të karburanteve, numri i madh i të cilave është cilësuar jo vetëm si problem për territorin por edhe për sigurinë rrugore.

Sipas relacionit shoqërues të projekligjit, për shkak të rëndësisë që mbartin këto objekte, kriteret dhe proçedurat për dhënien e lejeve do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave do të përfshijnë një sërë institucionesh, jo më vetëm pushtetin vendor.

Paralelisht me vendimin qeveria do të përcaktojë edhe kushtet e reja që duhen plotësuar për të marrë një leje për karburant. Por liçencimi i karburanteve është vetëm një nga ndryshimet në ligjin për përpunimin, transportin dhe tregtimin e naftës dhe gazit.

Paralelisht drafti i ri rikthen detyrimin për liçencim edhe për impiantet e përpunimit të naftës dhe nënprodukteve të saj. Pak vite më parë qeveria e kaluar e hoqi detyrimin e impianteve të naftës për liçencim.

Por ky ndryshim çoi në përhapjen e impianteve të riciklimit, të cilët në të vërtetë mashtronin konsumatorët duke përzierë naftën bruto dhe shitur atë në treg. Një problem që është denoncuar disa herë së fundmi nga Ministria e Energjitikës.

Qeveria shpreson që me ndryshimet e reja ligjore të disiplinojë tregtimin e naftës dhe gazit në vend dhe të kufizojë hapësirat për mashtrimin e konsumatorëve, duke ashpërsuar edhe ndëshkimet për subjektet që kryejnë veprimtari të jashtëligjshme në këtë sektor.

Top Channel