Prokuroria: Po verifikojmë akuzat

17/04/2014 00:00

Kur opozita vijon të akuzojë publikisht ushtrinë, për implikim në trafikun e drogës nëpërmjet bazës ajrore të Gjadrit, Prokurori i Përgjitshëm Adriatik Llalla shprehet se kanë nisur verifikimet për këtë çështje.

Madje, sipas kreut të Prokurorisë, është ministrja e Mborjtjes Mimi Kodheli, që i ka kërkuar së pari hetimin e kësaj çështjeje.

“Prej disa ditësh, deputetë të ndryshëm kanë ngritur akuza për trafikim të lëndëve narkotike nëpërmjet mjeteve të ushtrisë. Sipas tyre disponojnë fakte lidhur me këto dyshime, për deklaratat e tyre. Po kështu Prokuroria shqiptare ka marrë edhe një kërkesë nga ana e ministres së Mbrojtjes lidhur me fillimin e hetimeve lidhur me këtë rast. Jemi në fazën e verifikimeve paraprake”, u shpreh Adriatik Llalla.

Prokurori i Përgjithshëm ftoi deputetët dhe organet e specializuara t’i vënë Prokurorisë në dispozicion faktet që pretendohen se kanë. Por, pa saktësuar nëse kjo kërkesë është bërë zyrtare, apo është ende një apel publik.

“Prokuroria do iu kërkojë të gjithë deputetëve që kanë ngritur dyshime, lidhur me mundësitë e trafikimit të lëndëve narkotike me mjetet e ushtrisë, të paraqesin të gjitha faktet që disponojnë. Po kështu do t’u kërkohet të gjitha institucioneve të specializuara shtetërore, përfshi këtu Shërbimin Informativ të Ushtrisë, Shërbimin Informativ Shtetëror, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, po ashtu gjej rastin të ftoj gjithkënd që mund të ketë informacion apo fakte lidhur me sa u përmend më sipër, është i mirëpritur t’i paraqesë ato pranë organit të akuzës”, shtoi më tej Llalla.

I pyetur sërish në këtë pikë, Llalla saktësoi: “I kemi kërkuar këtyre deputetëve të paraqesin faktet, të cilat thonë se i disponojnë lidhur me këto raste”.

Këto deklarata të Prokurorit të Përgjithshëm u bënë gjatë ceremonisë për ndarjen e çmimeve për pikturën më të mirë të nxënësve, në rrethe të ndryshme, në kuadër të fushatës sensibilizuese “Unë kundërshtoj korrupsionin”.

Gjatë kësaj ceremonie, ambasadori amerikan Alekandër Arvizu u shpreh se nuk është thjesht shqetësuese dhënia e ryshfetit një zyrtari, por më tepër është shqetësuese mungesa e llogaridhënies nga zyrtarët e lartë.

Top Channel