Shpërthim me bombë në Durrës

17/04/2014 00:00

Një automjet ka shpërthyer mëngjesin e së enjtes në lagjen nr.1 të qytetit të Durrësit. Automjeti tip “Volkswagen”, me targa TR 2137 R, në pronësi të një biznesmeni nga Durrësi, është shpërthyer me eksploziv rreth orës 07:50, në parkingun e jashtëm të lokalit.

Fatmirësisht, nga shpërthimi që ka tronditur banorët e zonës, si dhe klientët që ndodheshin në lokal për të shijuar buzë detit kafen e mëngjesit, nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Lënda eksplozive ishte vendosur në pjesën e përparme të makinës dhe dyshohet se akti është përdorur si kërcënim ndaj biznesmenit, një nga më të njohurit në Durrës.

Automjeti i dëmtuar përdorej për furnizim, nga subjekti që ofron shërbimin bar-restorant-hoteleri në shëtitoren bregdetare të Durrësit.

Burime nga policia lokale deklaruan se po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërkohë që pista kryesore dyshohet të jetë konkurrenca në fushën e biznesit.

Top Channel