Pranga gjyqtarit të Pogradecit

16/04/2014 00:00

Me urdhër të Prokurorisë së Korçës, policia e qytetit jug-lindor ka arrestuar gjatë orëve të pasdites gjyqtarin e Gjykatës së Pogradecit, Dhimitër Pojanakun, nën akuzën e kurropsionit pasiv.

Nga hetimet e prokurorisë është arritur të dokumentohet se një shtetase i ka dhënë një shumë prej 500 mijë lekë të reja gjyqtarit Pojanaku, që ai të hiqte dorë nga një çështje, në të cilën ajo ishte e interesuar.

Arrestimi i tij mësohet se është kryer në flagrancë, vetëm pak momente pas marrjes së shumës së parave.

Me arrestimin e gjyqtarit Pojanaku vihen në lëvizje menjëherë disa institucione, kështu, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë KLD-në lidhur me këtë arrestim, bazuar në nenin 137, pika 4 e Kushtetutës.

Ndërsa referuar nenit 26 të “Ligjit për organizimin e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë”, në qoftë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyrar ta lirojë atë.

Ndërkaq, me anë të një njoftimi për shtyp Këshilli i Lartë i Drejtësisë bën të ditur se do të mbështesë dhe do të bashkëpunojë pa asnjë rezervë me çdo institucion shtetëror për hetim objektiv ndaj çdo gjyqtari të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme apo korruptive. 

Top Channel