Milan, miratohet bilanci i 2013-s

16/04/2014 00:00

Në selinë e re në rrugën “Aldo Rossi”, asamblea e aksionerëve të Milanit ka miratuar bilancin për vitin 2013 të shoqërisë, duke emëruar edhe bordin e ri të drejtorëve.

Klubi kuqezi regjistroi një humbje prej 15,7 milionë eurosh, të rikapitalizuara nga Fininvest. Në asamble, me përjashtim të Barbara Berlusconi-t, ishte prezent edhe Galliani.

“Jemi duke respektuar kriteret e ‘Fair-Play’-t financiar të vendosur nga UEFA. Kemi ulur gjithashtu tavanin e pagave të lojtarëve, këto për shkak se janë ulur edhe të ardhurat”, theksoi Galliani në përfundim të mbledhjes.

Sa i përket bordit të ri të drejtorëve, është miratuar propozimi i Fininvest prej 9 anëtarësh: Barbara Berlusconi, Adriano Galliani, Antonio Marchesi, Pasquale Cannatelli, Leandro Cantamessa, Leonardo Brivio, Paolo Berlusconi, Alfonso Cefaliello, Giancarlo Foscale. Edhe pse dy aksionerë kanë votuar kundër, duke mos e bërë miratimin unanim.

Adriano Galliani ka folur edhe në lidhje me presidencën “Berlusconi”. “Ka shpëtuar Milanin nga falimenti me një investim hiperbolik burimesh. Kemi fituar gjithçka në Itali, në Europë dhe në botë. Duhet ta falënderojmë për gjenialitetin, kapacitetet dhe burimet e investuara në këtë klub. Si tifoz, nuk më mbetet gjë tjetër të them, veçse shpresoj që Berlusconi të qëndrojë edhe për 100 vitet e tjera”.

Ndërkohë, për selinë e re të kuqezinjve, administratori i deleguar është shprehur: “Është e gjitha meritë e Barbara-s. Për momentin jemi me qira këtu, por kemi arritur akordin për blerjen e kësaj selie”.

Top Channel