Imami: Jo trafik në qeverisjen e PD

16/04/2014 00:00

Ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami mohoi në mënyrë kategorike informacionin e publikuar nga një media e shkruar, sipas të ciles shërbimi sekret kishte njoftuar autoritetet më të larta shtetërore që në 2012-n se ushtria shqiptare po përdorej për trafik droge.

“Në mandatin e PD në qeverisje nuk kemi patur asnjë të dhënë, nuk kemi patur asnjë informacion për përdorimin e infrastrukturës ushtarake për trafikimin e lëndëve narkotike”, deklaroi Imami.

Partia Demokratike beson se të tilla akuza janë diversion i qeverisë për të mos u përgjigjur rreth dyshimit të ngritur nga opozita se ushtria shqiptare po përdoret për trafikun e drogës.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e cilësoi të papreçedent veprimin e mazhorancës për të mos pranuar një seancë dëgjimore me ministren e Mbrojtjes për këtë çështje. Tani opozita thotë se këtë përgjigje e pret vetem nga kryeministri.

“Çështja kryesore që nuk mund t’i ikë është zoti kryeministër: a ke apo jo informacion për përdorimin e mundshëm të infrastrukturës ushtarake për trafik narkotikësh? Nëse ke, çfarë masah ke marrë? Kjo tashmë është një pyetje jo vetëm e opozitës, por është një pyetje dhe e opinionit publik. Jam i sigurt se është një pyetje që do ta ndjekin me shumë interes dhe partnerët tanë. Është në dinjitetin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s, që kryeministri të përgjigjet dhe të marrë përgjegjësitë kundrejt kësaj pyetjeje dhe detajeve që janë të lidhura me të. Heshtja apo akoma më keq refuzimi për t’u përgjigjur, apo akoma më keq krijimi i pengesave artificiale dhe antiligjore, si në rastin e zotit Braho, vetëm sa shton peshën dhe barrën e dyshimit”, deklaroi Basha.

Përdorimi i infrastrukturës ushtarake për trafik droge është një nga akuzat më të rënda të këtyre dy dekadave dhe Partia Demokratike duket se ka ndërmend të mos e lëshoje si çështje pa marrë përgjigje. “Ju siguroj se opozita nuk e ka të drejtën morale të tërhiqet nga e drejta për transparencë në këtë rast”, shtoi Basha.

Basha takon ambasadorët
“E meritojmë statusin, denoncuam qeverinë për veprimet anti-ligjore”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha komunikoi me gazetarët pas një takimi të gjatë pune me përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të Bashkimit Europian, të Shteteve të Bashkuara dhe të OSBE-së në Tiranë, ku integrimi europian dhe situata politike në vend kanë zënë vendin kryesor në bisedime.

“PD konsideron se Shqipëria e meriton statusin. Nxitëm ambasdorët që të nxisin qeveritë e tyre për një vendim pozitiv në qershor, duke e ndarë këtë çështje nga problemet që qeveria ka krijuar me shtetin ligjor”, tha Basha.

Por duke dhënë mbështetjen e saj publike për marrjen e statust në qershor, Partia Demokratike nuk rezervohet të bëjë po kaq publike shqetësimet e saj për atë që e cilëson si kurs anti-demokratik të qeverisë.

“Këto shqetësime i kemi denoncuar dhe do të vazhdojmë t’i denoncojmë, të qëndrojmë përballë tyre, sepse vetëm kështu i shërbehet kauzës përfundimtare që është anëtarësimi i Shqipërisë në Europë. Në Europë nuk mund të anëtarësohemi as duke shkelmuar ligjin dhe Kushtetutën, as duke mos zbatuar vendimet e gjykatave, as duke uzurpuar institucionet e pavarura, as duke prishur kornizën e lojës kushtetuese të kontrollit dhe balancës dhe ndarjes së pushteteve”, theksoi Basha.

Top Channel