15 vjet nga eksodi tragjik

16/04/2014 00:00

Në 24 mars 1999, NATO nisi fushatën e bombardimeve kundër ushtrisë serbe. Ishte akti i fundit i tragjedisë, luftrave dhe genocidit serb kundër popujve që kishin qenë nën Jugosllavi.

Hakmarrja serbe nuk vonoi të binte mbi popullsinë civile shqiptare në Kosovë. Kishte nisur shpërngulja më e madhe civile në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Qindra mijëra njerëz u dëbuan apo braktisën shtëpitë, duke iu drejtuar pikave të kalimit kufitar me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Pika kufitare e Morinit ishte porta nga ku qindra mijëra njerëz hynë në Shqipëri.

Njerëz të dëshpëruar e të raskapitur, me karroca, në këmbë, me traktorë dhe ç’të mundin braktisën qytetet dhe fshatrat për t’i shpëtuar krimit barbar, duke lënë pas të afërm të vrarë dhe të humbur. Shtëpi të djegura e pasuri të shkatërruara.

Qyteti dhe rrethinat e Kukësit u bënë një kamp gjigand për strehimin e tyre. Shumë prej tyre u transferuan brenda territorit të Shqipërisë, duke u strehuar nëpër qendra pritjeje dhe në mijëra shtëpi shqiptarësh, të cilët me një solidaritet të pashoq pritën dhe mbajtën në shtëpitë e tyre vëllezërit kosovarë.

Diktatorët në Serbi përbetoheshin se nuk do ta jepnin Kosovën, por historia kishte nisur të vinte në vend drejtësinë për shqiptarët. 15 vjet më pas shqiptarët, të ndarë ende nga një postë kufitare, e kujtojnë këtë ditë si një ditë që shënoi fillimin e bashikmit të tyre.

Por më shumë se kaq, si një ditë e cila është pjesë e kujtesës së historisë së shqiptarëve, historisë së Ballkanit dhe vetë Europës moderne, e cila për më shumë se 15 vjet kishte qëndruar spekatore në arenën ballkanike, ku luhej tragjedia më e madhe pas Luftës së Dytë Botërore në kontinentin e vjetër.

Top Channel