“Nga eksodi te bashkëpunimi”

16/04/2014 00:00

Tekat e motit dhe temperaturat nën zero nuk kanë penguar qindra shqiptarë nga dy anët e kufirit për t’u mbledhur në Kukës në përkujtim të 15-vjetorit të eksodit të madh të shqiptarëve të Kosovës.

Ashtu si 15  vjet më parë kur kufiri me Shqipërinë u shndërrua në rrugën e vetme të shpëtimit nga genocidi serb për mijëra shqiptarë të Kosovës, në mënyrë simbolike është ripërsëritur kjo ngjarje në këtë ditë të përkujtimit.

Rreth 100 të moshuar nga Kosova kanë udhëtuar në këmbë drejt Kukësit ku janë pritur nga qeveritë Rama dhe Thaçi. Dy kabinetet shqiptare në këtë mbledhje të përbashkët në qytetin verior të Shqipërisë i kanë rikthyer mirënjohjen për pritjen dhe hapjen e dyerve për qytetarët e Kosovës në ditët e represionit serb, duke e bërë sot Kukësin kryeqyetin e të gjithë shqiptarëve.

Pamje të transmetuara përmes një dokumentari kanë rikthyer në vëmendje ato ditë lufte, kur askush nuk mund të dinte kur dhe kush ishte fundi, derisa vetëm pak vite më vonë, lufta e shqiptarëve të Kosovës dhe NATO do të mundësonin shtetin më të ri të Europës.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, në fjalën e të cilit dominonte falenderimi për SHBA, NATO-n, BE-në dhe të gjithë miqtë që iu gjenden Kosovës në ato ditë të vështira, veçoi:

“Falenderojmë dhe kujtoj personalisht gjithë atë angazhim të madh të qytetarëve të Kukësit, Hasit, Bajram Currit, por në të njëjtën kohë më lejoni të falenderoj dhe përshëndes edhe njeriun që në atë kohë udhëhoqi qeverinë e Republikës së Shqipërisë, Kryeministrin e prapavijës së luftës së Kosovës, kryeministrin e Shqipërisë në atë kohë, zotin Pandeli Majko. Natyrisht pa prapavijën e shtetit shqiptar as ne nuk do të mund të qëndronim në ballë të luftës në Kosovë dhe të fitonim atë mbështetje të madhe ndërkombëtare. Duke kujtuar dëbimin masiv dhe krimet e rënda të kryera ndaj popullit tonë, nuk duhet të kultivojmë urrejtjen, por t’u bëjmë të qartë të gjithëve të vërtetën historike. Në këtë ditë ne ritheksojmë qartë, se populli ynë ka qenë në rrugën e duhur dhe të drejtë, se lufta jonë ishte e drejtë, e ndershme dhe legjitime dhe askush nuk mund ta njollosë”, tha kryeministri Thaçi.

Kjo është një kohë e re për rajonin, deklaroi kryeministri Edi Rama pasi shprehu mirënjohjen e thellë dhe vlerësimin e lartë për luftëtarët e Kosovës, gjakun dhe sakrificën, mikpritjen e shqiptarëve dhe të gjithë kontribuesve të paqes në Ballkan, por edhe për pavarësinë e Kosovës.

“Nuk do ta lë pa shprehur mirënjohjen jo vetëm për presidentin tjetër që ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm në rrugën e pavarësimit të Kosovës, presidentin Bush, apo në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, por madje unë këtu dua të shpreh mirënjohje edhe për Sali Berishën, edhe për Partinë Demokratike në qeveri si pjesë e përpjekjes së përbashkët shqiptare për pavarësimin e Kosovës dhe për të arritur në këtë ditë ku ne shqiptarët kemi mundësi t’i themi vetes, dakort ne ndahemi për të gjitha, por ne fatmirësisht, fatmirësisht nuk ndahemi tek cështja e madhe që deri dje mbante emrin cështja e Kosovës, por që sot natyrshëm ka emrin, cështja e shqiptarëve”, tha Rama.

Ndërsa vuri theksin tek realiteti i ri në rajon, ku për herë të parë Ballkani është në paqe, tha ai, bashkëpunimi mes shqiptarëve ka njohur një impuls tjetër.

“Të bindur se sic e kemi deklaruar kjo kohë e re nuk është koha e teatrit nacionalist, as e skeceve propagandistike me abetaren e përbashkët në dorë sa herë hapet viti shkollor, por është koha e një pune intensive në të gjitha planet, punë që ka filluar dhe punë që po ndërtohet dhe po ndërton hap pas hapi urat e bashkimit të shqiptarëve të gjeneratës tjetër, që shqiptarët e gjeneratës tjetër të jenë gjenerata e parë e shqiptarëve europianë që kanë të njëjtat pika referimi dhe që vijnë nga e njëjta rrugë edukimi”, deklaroi kryeministri Rama.

Pjesëmarrës në aktivitet, përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare, Maqedonia, Mali i zi e Presheva përshëndetën këtë rritje të bashkëpunimit mes dy qeverive shqiptare.

Ragmi Mustafa, Kryetar i Komunës së Preshevës: Një Shqipëri e fortë, një Kosovë e fortë, padyshim që do të jetë në interes të shqiptarëve në troje të tjera, sepse fatkeqësisht mbizotëron në politikën e Beogradit forma e diskriminimit të vazhdueshëm, por me metoda të moderuara, diskriminimi i Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Por ne do të vazhdojmë të qendrojmë stoikë.

Fatmir Gjeka, kryetar i Komunës së Ulqinit: Shqipëria dhe Kosova të mos na harrojnë, se gjithë shqiptarët i kemi sytë dhe shpresat tek dy shtetet tona.

Ajo që u vu re në aktivitetet e organizuar në Kukës ishte mungesa e Presidentit të Republikës, kryetarit të Partisë Demokratike dhe deputetëve të tjerë të opozitës, megjithëse ftesat organizatorët thonë se u kishin dërguar ftesat. Por si nga Presidenca, ashtu edhe nga Selia e Partisë Demokratike dhe ajo e Bashkisë së Tiranës thonë se nuk kanë patur ftesa.

Pa doganë me Kosovën
Mbledhja e qeverive: Unifikim arsimit, energjisë, tregtisë

Nga mbledhje e përbashkët e dy qeverive, kryeministri Edi Rama paralajmëroi një sërë marrëveshjesh konkrete me Kosovën, të cilat nisin me sistemi e unifikuar arsimor, materializimin e marrëveshjeve energjitike duke ngritur një treg të përbashkët në këtë sektor, jo vetëm për të siguruar energji për vete, por mund të jenë edhe eksportuese të saj.

Shqipëria dhe Kosova do të shkojnë drejt një hapësire të përbashkët të prodhimeve bujqësore. Pas pak muajsh dy shtetet shqiptare do të ngrënë edhe Dhomën Kombëtare të Tregtisë, ku sipërmarrësve nga Kosova do t’iu hapen dyert e investimit në Shqipëri dhe anasjelltas.

Pas heqjes së tatimit të dyfishtë Shqiperia dhe Kosova do të heqin edhe doganën për mallrat e të dyja vendeve, ku pika doganore e Morinës do të kthehet, tha kryeministri Rama, simbol i vlerës dhe i bashkëpunimit mes shqiptarëve.

“Ëndrra jonë është të jemi një komb i bashkuar në Europën e bashkuar, ëndrra jonë për të qenë një komb i bashkuar në Europën e bashkuar varet nga ne, se sa, si dhe kur bëhet realitet. Për sa na takon ne do të bëjmë më të mirën që Shqipëria dhe Kosova të jenë më të mira falë punës sonë. Të tjerët do të punojnë më mirë pas nesh”, tha Rama.

Top Channel