15 vjetori i eksodit kosovar

16/04/2014 00:00

Pas pak orësh në qytetin e Kukësit do të kujtohet 15 vjetori i eksodit të Kosovarëve. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj tregon për Top Channel axhendën qeveritare dhe festimet që do të organizohen në Kukës.

Ministri Veliaj ka bërë të ditur se janë organizuar një mori aktivitetesh, për të gjitha grupmoshat.


“Ka një mori aktivitetesh. Do të filloi me një pritje në kufij që Kryeministri Rama do t’i bëjë Kryeministrit Thaçi, më pas do të ketë një vizitë në doganën e rikonstruktuar të Morinës. Të dy delegacionet do të bashkohen në Pallatin e Kulturës, ku do të transmetohet një dokumentar, i cili është një reflektim mbi atë që ndodhi me eksodin, me lajmin e dhimbshëm të tij, por dhe lajmit të mirë që Shqipëria prodhoi në ato muaj. Mbas konferencës ka një drekë zyrtare, pastaj ka një panair  nga artizanët e Kosovës dhe të Shqipërisë. Për fëmijët do të jetë cirku dhe teatri i kukullave. Kemi përgatitur te kulla në Kukës disa takime publike të familjeve që kanë qëndruar te njëri-tjetri. Për ata që janë më të rinj do të kemi një koncert festiv në fund. Së pari unë besoj që kemi arsye për të festuar sepse Kosova dhe Shqipëria sot janë në një situatë totalisht ndryshe, sot ne kemi një partneritet strategjik. Në ato momente ne ishin ndoshta pjesë e asaj metafore, ‘ra ky mort edhe u pamë’, nuk njiheshim me kushërinjtë tanë, me të cilët kemi pasur edhe lidhje gjaku.  Unë mendoj që ajo shprehja shqiptare, “çdo e keqe e ka një të mirë”, ishte gjatë eksodit një e keqe shumë e madhe , por që prodhoj një të mirë, na lidhi më shumë me njëri-tjetrin, ka arsye edhe për t’u gëzuar. Kemi kaluar shumë momente të hidhëruara dhe atëherë kur jemi krenarë meritojmë të gëzohemi”, tha ministri Veliaj.

Top Channel