TAP, përmirësim infrastrukturës

15/04/2014 00:00

Veç ndërtimit të linjës së gazit, kompania TAP do të financojë edhe për rikonstruksonin apo ndërtimin e rrugëve të reja në zonën ku do të kalojë gazsjellësi.

Përmes një njoftimi zyrtar, kompania ka bërë të ditur se do të investojë një fond nga 40 deri në 70 milionë euro për infrastrukturën mbështetëse për zbatimin e projektit në Shqipëri.

Sipas njoftimit, investimet do të prekin tre qarqe të vendit: Korçën, Beratin dhe Fierin. Në këto zona kompania ka planifikuar se do të ndërtojë ose rehabilitojë mbi 80 kilometra rrugë, përfshirë edhe akset kombëtare, të cilat do të bëjnë të mundur transportimin e makinerive të rënda që do të përdoren për ndërtimin e gazsjellësit.

Investimet parashikojnë edhe ndërhyrjet në një sërë veprash arti, kryesisht urat, me qëllim që të përballojnë tonazhin e makinerive ndërtuese.

Kompania ka vënë si afat përfundimtar për dorëzimin e ofertave datën 16 maj.

Burime nga Ministria e Energjisë bëjnë të ditur se tenderi pritet të mbyllet shumë shpejt, çka do i hapte rrugë fillimit të punimeve në akset e programuara brenda këtij viti.  

Top Channel