“Dhëmb për dhëmb” me policinë

15/04/2014 00:00

31-vjeçari Alket Palushi doli para gjykatës nën akuzën e kundërshtim të forcave të policisë në gjendje të dehur. Gjykata e shpalli arrestimin e tij të paligjshëm duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të të akuzuarit përballë një mase më të lehtë, atë të detyrimit me paraqitje.

Seanca për masën e sigurisë ishte në fakt një përplasje akuzash për kafshime mes të pandehurit, i cili pretendonte se gjatë konfrontimit me policinë, kishte qenë një polic që i kishte kafshuar veshin.

I akuzuari: Më ka kafshuar polici veshin

Gjyqtari: Çfarë të ka bërë? Kush?

I akuzuari: Më ka kafshuar në vesh polici, pastaj unë nuk mbaj mend se cfarë bëra.

Por edhe Prokurori i cështjes kishte si provë kundër të riut, kafshimin e policëve gjatë arrestimit të tij.

“Personi i shoqëruar, në një cast u ka dhënë prangave me forcë dhe ka sulmuar fillimisht punonjësin e policisë Agron Kastrati, që ndodhej në sediljen e pasme të makinës duke e kafshuar disa herë në të dyja duart”, deklaroi prokurori, Ardiano Dyrmishi.

Në këtë situatë, ku secila nga palët pretendon se është kafshuar nga pala tjetër, dhe kur veshi i dëmtuar i të akuzuarit është qartësisht i dallueshëm, gjykata kundërshtoi ta linte kuksianin me 30 ditë burg me afat derisa përpara gjyqësorit të depozitohen dy ekspertiza që do të konfirmojnë nivelin e dëmtimeve nga kafshimet.

Në përfundim të procesit avokati Zihni Qinami thotë se familjarët e Palushit kanë denoncuar grupin e gatshëm të policisë së Kamzës në mënyrë që Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të zbulojë kush e kafshoi veshin e klientit te tij.

“Kanë debatuar, është futur në makinë. Se cfarë kanë bërë në makinë s’di kush gjë. Unë s’di gjë, vetës se kur ka dalë, ka dalë me vesh të carë rreth 2 centimetër”, deklaroi avokati i 31-vjecarit, Zihni Qinami.

Top Channel