Ukrainë, nis “operacioni anti-terror”

15/04/2014 00:00

Autoritetet ukrainase njoftuan nisjen e operacionit anti-terror në lindje të vendit, më synim dhënien fund të rrebelimit të separatistëve pro-rusë në këtë pjesë të vendit.

Presidenti i përkohshëm i vendit, Olexander Turchynov tha se operacioni i forcave të sigurisë nisi në rajonin verior të Donetsk-ut dhe po vazhdon të zgjerohet hapa pas hapi dhe kujdesshëm në të gjitha pjesët e tjera ku ditët e fundit janë identifikuar lëvizje separatiste edhe të armatosura.

Sipas raportimeve, forcat ukrainase janë përballur me protestuesit pro-rusë në një aerodrom në qytetin e Kramatorskut. Agjensitë ruse të lajmeve raportuan për të shtëna me armë dhe shpërthime të fuqishme. Të njëjtat burime flasin për 11 persona të vrarë nga bombardimet e avionëve ukrainas.

Presidenti Turchynov deklaroi para parlamentit vendas se synimi i operacionit ishte mbrojtja e qytetarëve ukrainas dhe dhënies fund të terrorit, krimit dhe përpjekjeve për të përçarë vendin, ndërsa jashtë godinës mijëra protestues ishin mbledhur në shesh duke kërkuar një përgjigjje të fortë ndaj separatistëve pro-rusë në lindje.

Pas ditësh të tëra ku vihej re mungesa e autoriteteve të Kievit në Luhansk, Kharkiv dhe Donetsk, të hënën mjetet e blinduara të ushtrisë ukrainase u panë duke patrulluar në rrethinat e Kharkivit.

Nga ana tjetër, Moska paralajmëroi sërish autoritetet ukrainase kundër përdorimit të dhunës. Nga Kina ku ndodhet për një vizitë zyrtare, Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov tha se operacioni i Kievit në lindje rrezikon bisedimet mes BE-së, Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës, që pritet të zhvillohen të enjten në Gjenevë.

“Nuk mund që nga njëra anë të dërgosh tanket kundër qytetarëve të tu dhe nga ana tjetër të mbash bisedime”, tha ai.

Presidenti amerikan Barack Obama i ka bërë thirrje homologut të tij rus, Vladimir Putin, që të përdorë të gjithë influencën e tij që separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës të tërhiqen.

Dy liderët zhvilluan një bisedë telefonike pasi aktivistët vazhduan të mbanin të pushtuara ndërtesat qeveritare në qytetet lindore.

Zyra e shtypit e Kremlinit bëri të ditur se, nga ana e tij zoti Putin hodhi poshtë akuzat për një ndikim të Moskës, duke i cilësuar informacionet si “të pabesueshme”.

Ndërsa Shtëpia e Bardhë njoftoi se biseda “e hapur dhe direkte” mes dy presidentëve u bë me kërkesë të palës ruse.

Ndërkohë, Gjermania deklaroi se Moska duhet të tregojë seriozitet dhe të ndërmarrë hapat e nevojshme për uljen e tensioneve. Ministri i Ekonomisë, Sigrmar Gabriel tha se nëse Rusia nuk është gati për të ulur tensionet në lindje të Ukrainës, Berlini dhe gjithë Europa është gati për të hyrë në fazën e tretë të sanksioneve.

Top Channel