Noka: Trafik droge nga aeroporti ushtarak

15/04/2014 00:00

Opozita ka përforcuar akuzën për përdorim të infrastrukturës së ushtrisë për transport të lëndëve narkotike.

Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka, ka shfrytëzuar praninë e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në këtë komision, i cili ishte thirrur për të mbrojtur ligjin e ri për mjetet lundruese, për të deklaruar se aeroporti ushtarak i Gjadrit në Kukës është duke u përdorur për trafik të lëndëve narkotike.

Noka: Zoti ministër, a keni dijeni që baza ajrore e Gjadrit është përdorur për trafik droge kohët e fundit?

Tahiri: Gjadri nuk ka det, radarët janë radarë për monitorimin e detit. Unë kam pritje me popullin në Ministri, eja interesohu dhe unë jap sqarime.

Por nënkryetari demokrat i Komisionit të Sigurisë, i pyetur nga Top Channel pas largimit nga Komisioni për faktet që disponon për këtë akuzë dhe përse nuk i është drejtuar Prokurorisë, adresoi përgjigjen tek ministrat e qeverisë.

“Akuzat tona i mbështesim në informacionet që kemi. Për detaje të tjera pyesni ministrin që u fsheh si struci”, tha Noka.

Ndërsa ministri i Brendshëm, pas përfundimit të Komisionit, i pyetur mbi këtë akuzë të Nokës, deklaroi shkurt se nuk merret me ato që i quajti “përrrallat e Flamurit”.

Top Channel