As këtë javë kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk mund ta fusë në seancë miratimin e ndryshimeve kushtetuese që do të mundësonin formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha se së pari duhet të sigurohen votat e nevojshme, e pastaj çështja e ndryshimeve kushtetuese të hyjë në rend dite.

“Si duket, deputetët e pakicave nuk janë të gatshëm ta bëjnë këtë dhe pa gjetur një marrëveshje nuk kemi përse ta çojmë këtë çështje në rend dite”, deklaroi Krasniqi.

Deputetët e pakicave po kërkojnë edhe një mandat shtesë për vendet e rezervuara në këmbim të votave të tyre për Forcat e Armatosura të Kosovës. Këto kërkesa po konsiderohen si shantazhe nga ana e subjekteve opozitare.

“Kjo i bie që ne të ballafaqohemi vazhdimisht me shantazhe dhe kush e di ç’duhet të presim nëse atyre u jepen ulëset e rezervuara”, deklaroi Ismet Beqiri, shef i grupit të LDK-së.

“Po kërkojnë një mandat shtesë. Shumica mesa duket nuk është e gatshme të bëjë një kompromis të tillë, në mënyrë që të hapet rruga për të kaluar tek FAK, sepse nuk do që të japë ulëset e rezervuara”, tha nga ana tjetër Ardian Gjini, nga AAK.

“Qëndrimi i Vetëvendosjes është që Kosova të ketë një ushtri me termin Ushtria e Republikës së Kosovës dhe të identifikohet me shkurtimin URK”, tha Glauk Konjufca, nënkryetar i Kuvendit.

Nëse subjektet politike shqiptare nuk pajtohen me kërkesat e minoriteteve, çështja e Forcave të Armatosura pritet të mbetet për legjislaturën e ardhshme.

Top Channel