Christopher Dell, diplomati i karrierës i emëruar nga presidenti amerikan, Barack Obama, për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara në Prishtinë, është punësuar nga “Bechtel Corporation”, pasi ndihmoi këtë kompani të fitonte kontratën për të ndërtuar autostradën drejt Shqipërisë.

Fakte të reja janë publikuar në shkrimin e “Balkans Investigative Reporting Network” dhe prestigjiozes britanike “The Guardian”. Aty thuhet se Christopher Dell mori detyrën si drejtori i kompanisë në Mozambik të Afrikës, në nëntor të vitit të kaluar, disa muaj pasi përfundoi karrierën prej 3 dekadash me Departamentin amerikan të Shtetit.

Marrja në punë e Dell-it në Bechtel, kompania më e madhe inxhinierike dhe e ndërtimit, ka ndezur debatin për projektin shumë të debatueshëm për ndërtimin e rrugës së njohur si “Autosrada e Kombit”.

Diplomati i Bashkimit Europian në Kosovë, Pieter Feith, kritikoi mënyrën se si ambasadori amerikan e shtyu marrëveshjen, kur u sigurua kontrata, dhe bëri thirrje për një hetim. Ai e akuzoi Dell se fshehu informacione për kontratën e Bechtel dhe loboi që Kosova të binte dakord për atë, që ai e cilësoi “një marrëveshje të keq-këshilluar me kompaninë amerikane, që  ishte presion i madh për buxhetin e vendit të ri”.

Shkrimi flet për ndikimin e madh, që kishte Dell në Kosovë, pasi u caktua ambasador në vitin 2009. Por, veç tij, Pieter Feith, shefi i Zyrës Ndërkombëtare në Kosovë gjatë viteve 2008-2012, ishte një figurë e rëndësishme në vend.

Asokohe, Dell inkurajoi qeverinë e Kosovës për të nënshkruar kontratën, Feith shprehu shqetësimin e madh për t’ia dhënë këtë kontratë gjigante konsorciumit, që përbëhej nga Bechtel dhe partneri turk Enka, që sipas tij do të minonte financat e Prishtinës.

Ai kishte debatuar me ambasadorin amerikan për logjikën e një vendi të varfër, që ndërmerr një projekt kaq të madh të infrastrukturës. Sipas tij, më mirë paratë të kishin shkuar për t’i bërë ballë papunësisë, e cila ishte në 40%.

Pieter Feith kishte kërkuar të shikonte detaje të kontratës, duke u justifikuar se ishte pjesë e mandatit, por iu mohua aksesi nga Ambasada amerikane. Marrëveshja Bechtel-Enka u nënshkrua në Prill të 2010-s, pavarësisht shqetësimeve nga FMN, Banka Botërore, diplomatët europianë, Pieter Feith, dhe këshilltari juridik i qeverisë së Kosovës.

Si Dell, ashtu dhe Departamenti amerikan i Shtetit, rrëzuan kërkesën për të komentuar. Bechtel mbrojti emërimin e ish-ambasadorit dhe tha se çdo sugjerim se “caktimi i tij është i pavend, është i pavërtetë dhe ofensiv”.

Andrea Capusela, që mbante detyrën e kreut të ekonomisë në Zyrën e Pieter Feith, kritik i skemës së ndërtimit të rrugës, tha se “marrja në punë e Dell-it nga Bechtel shton pikëpyetjet për të gjithë projektin”.

Feith nuk pranoi të komentonte për detyrën e Dell-it te kompania amerikane. Megjithatë, ai tha se një hetim i gjerë për marrëveshjen duhet të bëhet, pa specifikuar se cila organizatë mund të kryente hetimet.

Veç shifrave të punimeve, që ndryshuan fillimisht nga 400 milionë, pastaj në 660 mln, e duke përfunduar me 820 milionë euro, për projektin e autostradës ka pasur akuza korrupsioni në dy anët e kufirit.

Javën e kaluar, qeveria shqiptare foli për nisjen e një hetimi për financimin e një pjese të autostradës. Ish-ministri i Transporteve në Tiranë, Lulzim Basha, u pastrua nga akuzat “abuzim me pushtetin”, kur çështja kundër tij u bllokua nga Gjykata e Lartë për teknikalitete ligjore.

Ai mohoi çdo keqbërje. Nuk ka fakte që sugjerojnë se Bechtel dhe Dell të jenë të implikuar në hetimin për korrupsion, detajet e të cilit mbeten konfidenciale.

“The Guardian” shkruan edhe për përplasjen mes Pieter Feith-it dhe Christopher Dell, për Fatmir Limajn, i cili në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes mbante postin e ministrit të Transporteve të Kosovës. Ai po hetohej për korrupsion nga zyrtarët e BE-së në Kosovë.

Dell, që kishte pak besim te hetimi i BE-së, u përpoq ta largonte ministrin nga Kosova për një pozicion diplomatik në Nju Jork apo Uashington. Feith e cilësoi këtë “si një dalje nga dera e pasme” për të bllokuar hetimet për korrupsion”.

Në fillim të këtij viti, qeveria e Kosovës i dha një tjetër kontratë kompanisë Bechtel, në vlerën e 600 milionë eurove, për të ndërtuar kësaj here një rrugë drejt Maqedonisë. Për këtë, firma amerikane tha se Dell nuk luajti asnjë rol për kontratën e dytë.

Top Channel