Qytetarët e Maqedonisë, pas dy javëve (më 27 Prill në balotazh), do të zgjedhin presidentin e ardhshëm të Maqedoni mes kandidatit të VMRO-DPMNE-së Gjorgje Ivanov dhe atij të LSDM-së Stevo Pendarovski.

Sipas të dhënava të para të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në raundin e parë të zgjedhjeve Ivanov ka marrë 447 mijë vota, kurse i dyti në zgjedhje ka dalë kandidati i LSDM-së Stevo Pendarovski me 325 mijë vota.  

Për kandidatin e vetëm shqiptar në këto zgjedhje, Iljaz Halimin, kanë votuar 39 mijë qytetarë, kurse Zoran Popovski nga Opsioni Qytetar për Maqedoninë ka marrë 31 mijë vota.

Nikolla Rilkovski, kryetar i KSHZ-së, u shpreh: “Vlerësimi i përgjithshëm i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve është se zgjedhjet e pesta presidenciale në Maqedoni kaluan në atmosferë të qetë.  Rezultatet e para jozyrtare të përgatirura në rrugë elektronike janë si vijon: Gjorgje Ivanov ka marrë 51 për qind nga numri i përgjithsëhm i votave, Stevo Pendarovski  37 për qind, Iljaz Halimi ka marrë 4.6 për qind dhe Zoran Popovski 3,2 për qind.”

Pas mbylljes së qendrave të votimeve, kandidati presidencial Iljaz Halimi dhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi, përmes një konference për media, falenderuan votuesit e guximshëm që edhe përkundër presioneve të shumta nga Bashkimi Demokratik për Integrim dolën në votime.

Ndërkaq, zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, pas publikimit të rezulateve, tha se shqiptarët treguan pjekuri kombëtare duke bojkotuar në masë të madhe zgjedhjet presidenciale. Sipas tij, në këtë mënyrë qytetarët shqiptarë i thanë jo presidentit të njëanshëm dhe u vendosën në mbështetje të konceptit të BDI-së për president konsensual në Maqedoni.  

Top Channel