E përplas kamioni, vdes i moshuari

15/03/2014 00:00

Një tjetër aksident rrugor me pasojë vdekjen e një të moshuari ka ndodhur të shtunën, në orët e pasdites, këtë herë në qytetin e Shkodrës.

Sipas informacioneve të fundit, shtetasi Kolë Doçaj është goditur nga një kamion teksa udhëtonte me një motoçikletë, përplasje që ka rezultuar fatale për të.

Burime policore lokale bëjnë të ditur se 73-vjeçari nga fshati Bardhaj ka humbur jetën menjëherë në vendin e ngjarjes, pavarësisht ndërhyrjeve të kalimtarëve për ta mbajtur atë në jetë.

Burimet shtojnë se policia rrugore po bën një hetim për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërkohë që trupi i viktimës është dërguar në morgun e qytetit dhe janë njoftuar familjarët.

Më herët gjatë ditës, në orët e para të mëngjesit, një person humbi jetën në superstradën Tiranë-Durrës nga përpasja e dy automjeteve.

Një furgon mallrash dhe një veturë tip “BMW” u përplasën mes tyre në afërsi të fshatit Sukth dhe si pasojë gjeti vdekjen drejtuesi i njërit prej mjeteve.

Nga hetimet e para të kryera në vendin e ngjarjes rezultoi se automjeti tip “BMW” me targa “AA 944 CZ”, i drejtuar nga shtetasi Ilir Ajazaj, goditi nga pas furgonin e mallrave, i cili doli nga rruga dhe u përmbys.

Drejtuesi i furgonit, shtetasi Marsel Rrapi, 27 vjeç me banim në Tiranë, gjeti vdekjen në spital, ndërsa policia ndaloi drejtuesin e veturës, 29 vjeç nga Durrësi, për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje të regjistruar në orën 06.10 të mëngjesit.

Gjithashtu, në aksin Tiranë-Durrës ndërhynë zjarrfikësit për të larguar nga rruga produktet ushqimore që u shpërndanë gjithandej nga furgoni i mallrave, me qëllim shmangien e aksidenteve të tjera rrugore.

Top Channel