Durrës, vret krushkun me çifte

15/03/2014 00:00

Një 52-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa i biri është plagosur rëndë nga babai i nuses së kthyer mbrapsht. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën informale të ish-kënetës në qytetin e Durrësit, ndërsa e plagosur ka mbetur edhe një kalimtare, banore e zonës.

Përparim dhe Xhulian Hoxha, përkatësisht 52 dhe 24 vjeç janë dhunuar me mjete të forta dhe më pas mbi ta është qëlluar me çifte nga babai i nuses së kthyer vetëm pak javë pas martesës së dy të rinjve.

Kushti i vënë nga nusja dhe familja e saj, që çifti i ri të mos jetonte me prindërit e burrit, ka shkaktuar mosmarrëveshje të forta mes çiftit dhe familjeve përkatëse, deri në vendimin e familjes Hoxha për t’i dhënë fund kësaj martese.

Kur atë e bir kanë kthyer nusen në shtëpi bashkë me sendet personale të saj, Anton Ndoji, 50 vjeç dhe me origjinë nga Mirdita, së bashku me të shoqen kanë reaguar ashpër.

Fillimisht mbi dhëndrin dhe babain e tij është qëlluar me armë të ftohtë dhe sende të forta brenda shtëpisë së nuses. Kur sherri është zhvendosur jashtë shtëpisë së tyre, Ndoji ka qëlluar me armë gjahu mbi ta.

Vjehrri i nuses së kthyer, Përparim Hoxha ka ndërruar jetë në spital, ndërsa i biri vazhdon të ndodhet nën kujdesin e mjekëve. E plagosur në vendin e ngjarjes mbeti dhe Nurie Shahini, një banore e zonës që po kalonte rastësisht pranë shtëpisë.

Burime nga policia e Durrësit bëjnë të ditur se po hetohet dhe për rolin në krim të nënës së vajzës, e cila ka qenë e pranishme në ngjarje. 

Top Channel