Vrasje mes të afërmish në Kurbin

05/03/2014 00:00

Një sulm me armë zjarri është verifikuar mbrëmjen e së mërkurës në Kurbin, ku si pasojë e të shtënave ka mbetur i vrarë një shtetas.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave viktimë e sulmit është shtetasi Ramazan Lama, 56 vjeç, i cili rezulton të jetë qëlluar nga një i afërm i tij.

Sipas burimeve, me të marrë informacionin uniformat blu kanë rrethuar zonën e krimit dhe nuk ka vonuar arrestimi i autorit të krimit, shtetasi Fatmir Lama.

Për momentin nuk dihet me saktësi se cila është lidhja e gjakut që kanë dy Lamajt dhe as motivet e sulmit të armatosur të 49-vjeçarit, që ka rezultuar fatal.

Pritet që nga marrja në pyetja e këtij të fundit dhe hetimet e mëtejshme të hedhin dritë mbi këtë krim të rëndë, shtojnë më tej burimet policore.

Ngjarja e kësaj mbrëmjeje në Kurbin vjen një ditë pas asaj të ndodhur në Laç, ku një person i armatosur hapi zjarr duke vrarë dy vëllezër, me të cilët kishte njohje.

Top Channel