Juliani “mbyll” CV-në e krimeve

04/02/2014 00:00

“Ditën që vrava biznesmenin Agron Çela kam mendar se kushërinjtë Mëhillaj po më përdornin shumë keq dhe kam menduar që t’i vras edhe ata”.

Në këtë mënyrë 30-vjeçari Julian Sinanaj ka vijuar me dëshminë e tij përgjatë seancave të gjata të pyetjeve dhënë përpara një grupi prokurorësh të Krimeve të Rënda.

Burime konfidenciale thanë që për shkak të përdorimit të lëndëve plasëse në mekanizmin e katër ngjarjeve hetuesit kanë vendosur ta pyesin Julian Sinanajn edhe për ngjarje të tjera të ndodhura në Vlorë po me anë të shpërthimit të telekomanduar.

Për shkak se Sinanaj ka pranuar autorësinë e vendosjes së lëndës plasëse në shtëpinë e Ardian Kollozit, në automjetin e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi dhe në dy raste të tjera në një automjet dhe në një motorçikletë, prokurorët e kanë pyetur Sinanajn nëse është ai njeriu që shpërtheu automjetin me të cilin udhëtonte gjyqtari Skerdilajd Konomi.

Sinanaj mësohet të jetë përgjigjur se nuk është ai autori. Po kështu, 31-vjeçari ka përjashtuar veten edhe për vendosjen e tritolit në automjetin e ish-kryeprokurorit të Vlorës, Dorian Tafili.

Gjithashtu, Sinanaj i është përgjigjur me mohim edhe hedhjes në erë të automjetit me të cilin udhëtonte kryetari i komunës Qendër, Fredo Berberi, ngjarje e ndodhur më 20 janar të këtij viti po në qytetin e Vlorës, si edhe vrasjes së telekomanduar të biznesmenit Xhemal Çela në Durrës.

I akuzuar për gjashtë ngjarje të kryera në Shqipëri, Julian Sinanaj, thanë burimet, ka deklaruar se policia shqiptare ka abuzuar me deklaratat mediatike në çastin kur publikoi që ai kishte pranuar ngjarje të mundshme edhe në Greqi. Nuk pranoj të flas për këtë, raprotohet në rrugë jozyrtare, të ketë thënë Sinanaj, duke i lënë prokurorët pa një përgjigjje.

Top Channel