Duke rikonfirmuar edhe njëherë se gjysma e energjisë në vend nuk
paguhet, Qeveria shqiptare shprehu vendosmërinë për të ndryshuar kuadrin
ligjor me qëllim forcimin e ndëshkimit për ata që vjedhin deri në
ndëshkim me burg.

“Shumë shpejt do të bëjmë ndryshime në Kodin Penal, ku vjedhja e energjisë mbi një vlerë të caktuar, që duket pastër që është për qëllime biznesi, nuk do të ketë dënim me gjobë, minimumi do të jetë burg”, tha ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.

Në mbledhjen e task forcës së Energjisë, ministri Gjiknuri përjashtoi mundësinë e amnistisë për veprat që lidhen me vjedhjen e energjisë.

“Nuk ka më asnjë amnisti për vepra që lidhen me energjinë elektrike. Këtë ta mësojë kushdo. Veprat që lidhen me energjinë elektrike, me vjedhjen, me dëmtimin e rrjetit, me fenomenin e dëmtimit të sahateve, që edhe kjo kërkon një specifikim në Kodin Penal, duke ashpërsuar masat nuk do të tolerohen më. Ky vend nuk mund t’i lejojë vetes më abuzim prej 150 milionë dollarësh”, tha Gjiknuri.

Prefekti i Tiranës u kërkoi drejtuesve vendorë që janë pjesë e task-forcës për energjinë elektrike të qarkut të fillojnë shlyerjen e detyrimeve nga punonjësit e institucioneve të tyre ose në të kundërt ndaj punonjësve debitorëve do të merret masa e largimit nga puna.

“Të fillohen të shlyhen deturimet e prapambetura në të gjithë institucionet që ju përfaqësoni. Brenda harkut kohor të 10 ditëve, cdo punonjës i administratës së prefekturës duhet të paraqesë pranë shërbimeve mbështetëse vërtetimin që nuk është debitor i CEZ-Shpërndarjes. Në të kundërt, do të merren masa administrative deri në largimin nga puna”, tha prefekti Sadi Vorpsi.

Top Channel