Tiranë, vritet para banesës

17/01/2014 00:00

Larjet e hesapeve, për biznesin e kromit në Bulqizë, dyshohen të jenë shkaku i vrasjes, që ndodhi me armë zjarri rreth orës 21:00 të mbrëmjes së të premtes, në afërsi të tregut elektrik në kryeqytet.

Hasan Talja, 42 vjeç, u qëllua disa herë përpara banesës së tij me pistoletë, nga një person, identiteti i të cilit ende nuk dihet. Kalimtarë të rastit e dërguan atë menjëherë drejt spitalit, por 42-vjeçari nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të rënda të marra në trup.

Policia, që nisi hetimet, shoqëroi nga vendi i ngjarjes të paktën 30 persona, që mund të kenë shquar nga afër autorin e vrasjes.

Sipas të dhënave paraprake, Talja nuk kishte precedentë penalë, por disa prej të afërmve të tij ishin të skeduar më parë nga policia. Talja dhe vëllezërit e tij janë pronarë të disa galerive të Bulqizës dhe, në të shkuarën, kanë pasur konflikte për biznesin e kromit.

Policia tha se administroi të gjitha provat e lëna në vendin e ngjarjes, si edhe gjurmë të autorit. Sipas dëshmive të para, të marra nga personat që kanë parë ngjarjen, si edhe pas marrjes në pyetje të familjarëve, policia tha se është afër zbulimit të plotë të rrethanave të ngjarjes.

Top Channel