Dy persona, mes të cilëve Astrit Gjepali që po kthehej nga leja për në burgun e Peqinit dhe Halil Fici u ekzekutuan në një atentat në afërsi të Rrogozhinës. Viktimat sipas policisë janë dy emra të njohur të botës së krimit, ndërsa në atentat kanë mbetur dhe dy persona të plagosur.

Njëri ishte drejtuesi i automjetit tip “Benz” me targa të huaja me të cilin udhëtonin viktimat, Ilir Sulkja, kunati i Gjepalit. Ndërkohë, i plagosuri i dytë është një person i rastësishëm në vendin e ngjarjes, i identifikuar si Maringlen Balliu.

Objektiv i atentatit ka qenë i dënuari Astrit Gjepali, autor i të paktën 5 vrasjeve, mes të cilave dhe ajo e punonjësit të policisë në shërbim Nazmi Kopshti. Gjepali ishte dënuar me 25 vjet burg nga Gjykata e Durrësit për krimet e vitit ‘97 dhe po kthehej pas një leje disa ditore në vendin e kryerjes së dënimit.

Në Rrogozhinë i është zënë pritë dhe mbi automjetin e drejtuar nga Sulkja është qëlluar me breshëri automatiku. Të plagosurit ndodhen në spitalin e Durrësit, ku Sulkja deklarohet të jetë në gjendje më të rëndë.

Ndërkohë, viktima tjetër e këtij atentati është shtetasi Halil Fici, i njohur si pjesë e bandës së Ben Çamit, i akuzuar për trafik dhe shpërndarje narkotikësh në Itali. Policia ka ngritur postoblloqe të shumta në rrugën nacionale, por ende nuk ka të dhëna për autorët, ndërsa kanë nisur shoqërimet e para. Hetimet janë përqëndruar në pistën e hakmarrjes.

Familjarë të viktimave e patën cilësuar të padrejtë vendimin e Gjykatës së Durrësit të vitit 2003 që e dënonte me 25 vjet burg Gjepalin nga burgim i përjetshëm që u kërkua nga prokuroria. Tre vjet më pas, në 2006-n, Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Durrësit.

Disa ore pas atentatit të ndodhur, Policia e Lushnjes ka njoftuar se ka gjetur një makinë që po digjej. Mjeti u gjet i djegur pranë nënstacionit të pompave të ujit në Konjat të Lushnjes. Gjatë kontrollit të kryer nga ekspertë të kriminalistikës në automjetin e braktisur, i cili dyshohet se është i atentatorëve, u gjetën 2 armë automatike dhe disa fishekë.

Makina është braktisur rreth 10 km nga vendi i atentatit. Në ndihmë të policisë së Lushnjes kanë ardhur forcat e policisë së Kavajës dhe Rrogozhinës. Gjithashtu, nga Ministria e Brendshme është dërguar një helikopter i cili po kryen kontrolle nga ajri rreth territorit ku u gjet makina. Gjithashtu, policia ka shoqëruar disa persona të cilet mund të kenë parë autorët kur kanë braktisur mjetin, pasi zona është e banuar.

Krimet e bandës në 97-n
Gjepali ishte dënuar me 25 vite burg për 5 vrasje

Më 15 dhe 16 qershor të vitit 1997, Gjepali dhe anëtarët e bandës së tij kanë kryer disa vrasje në Durrës duke përhapur panik dhe terror në popullatë.

Gjepali është akuzuar edhe për vrasjen e Ylli Majacit më 23 mars të vitit 1993 në Zyrih të Zvicrës. Në mesin e qershorit të ‘97-s, Gjepali bashkë me shokët e tij nisën serialin e vrasjeve me shtetasin Luan Plaku në lagjen 18 të Durrësit dhe vetëm pak orë më vonë ekzekutuan edhe shtetasin Bilbil Neza te Kthesa e Kamzës.

Pak para kësaj vrasjeje, në vendin e quajtur Kodra e Rrashbullit, ata qëlluan me armë mbi një automjet fuoristradë duke plagosur rëndë shtetasin Ndue Pjetrushi dhe një tjetër person që ndodhej brenda automjetit.

Por historia e atentateve nuk u mbyll këtu. Në 15 qershor u ekzekutuan shtetasit Kajmak Kullolli dhe Gëzim Beqiri, tek vendi i njohur si “4 Rrugët e Shijakut”.

Një ditë më pas u vra vra edhe shtetasi Nazmi Kopshti, i cili ishte punonjës policie i komisariatit të Durrësit, atë natë në shërbim pranë ish-karburantit shtetëror në Shkozet.

Vrasjet e kryera nga banda e Gjepalit ndodhën në intervale të shkurtra kohore, duke përhapur tmerr e panik në Durrës.

Top Channel