Ideja për integrimin rajonal ekonomik mes Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, sipas modelit të Benelux-it, promovohet me qëllimin e zgjerimit të tregut dhe jo për të ndryshuar kufijtë në Ballkan.

Politikanë, profesorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga këto vende, thanë se askush nuk duhet të frikësohet nga ky lloj bashkëpunimi, që ka të bëjë me përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve dhe jo me krijimin e shteteve të mëdha.

“Benelux-i Ballkanik nuk është ndryshim kufijsh, nuk promovohet një gjë e tillë. Ne promovojmë vetëm bashkëpunimin. Nuk është alternativë ndaj NATO-s, secili prej vendeve do të anëtarësohet në NATO, nuk është një koncept i Shqipërisë së Madhe. Deri sa nuk flasim për ndryshim kufijsh, është thjesht një koncept bashkëpunimi”, tha Ardian Shehu, kryetar i AGREEI.

Përveç interesit ekonomik, bashkëpunimi i vendeve të rajonit, sipas modelit të një Benelux-i Ballkanik, u mundëson atyre të përshpejtojnë edhe procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

“Ky sukses i bashkëpunimit në kuadër të rajonit do të ndikojë së pari për kushte më të mira ekonomike dhe gjithashtu do të japë një kontribut për të bindur BE-në, se rajoni është pjekur dhe i gatshëm për t’u bashkangjitur”, tha Izet Mexhiti, kryetar i Komunës Çair në Shkup.

“Nuk ka asnjë dyshim për efektet pozitive të bashkëpunimit rajonal, që bashkëpunimi është një instrument i fuqishëm për përshpejtimin e procesit të integrimit në BE. Këtu kam parasysh edhe një proces të pajtimit dhe të forcimit të besimit reciprok në rajon, përmirësimit të jetesës së popujve në Ballkan dhe rritjes ekonomike të rajonit”, tha Edmond Hoxha, ish-zëvendësministër i Integrimit në qeverinë e Shqipërisë.

Në një konferencë të organizuar në Shkup, idenë për krijimin e një Benelux-i Ballkanik e mbështetën edhe disa ekspertë të huaj nga fusha e ekonomisë, të cilët vlerësuan se një bashkëpunim i tillë do të forconte pozitën e gjithë vendeve të rajonit.

Top Channel