Qafë-Mollë, banorët: Nuk pati problem gjatë shkatërrimit të armëve

15/11/2013 00:00

Në bazën e Qafë-Mollës, aty ku në viti 2007 përfundoi procesi i shkatërrimit të armëve kimike shqiptare, situata është e qetë.

Veç ushtarëve që ruajnë objektin dhe ndalojnë filmimet nga afër të bazës, asnjë lëvizje nuk vërehet pranë saj. Në sheshin e objektit gjenden vetëm disa kontenierë dhe cisterna.

Vetëm pak metra larg bazës së Qafë-Mollës janë të ngritura disa shtëpi, të cilat sipas banorëve kanë qenë aty dhe gjatë kohës së procesit të shkatërrimit. Banorët e Qafë-Mollës, shprehen se as gjatë kohës së procesit dhe as tani, nuk kanë pësuar asnjë dëmtim qoftë në njerëz, kafshë apo bimësi.

Të pyetur për ardhjen e armëve kimike siriane në atë bazë, banorët mbajnë qëndrime të ndryshme ku disa shprehin frikë për sasinë e madhe, e disa të tjerë deklarojnë se nuk ka asnjë problem për ta.

Banorët tregojnë se pothuajse në çdo shtëpi të fshatit Qafë Mollë, gjenden bidona që dikur kanë mbajtur lëndë kimike, të cilat tani përdoren për të mbushur ujë dhe se sipas tyre, askush nuk ka shfaqur asnjë shqetësim shëndetësor.

Top Channel