Dy të rinj 27 dhe 22 vjeç kanë humbur jetën rreth orës 7 të pasdites së të premtes, në lagjen Neo Iraklio të Athinës, pasi janë qëlluar para zyrave të Agimit të Artë nga dy persona të panjohur që kalonin aty pranë me motoçikletë.

Dëshmitarët okularë kanë deklaruar se dy vrasësit, që kishin kaska në kokë kanë qëlluar të paktën 15 herë dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur.

Sipas zëdhënësit të Agimit të Artë, Ilias Kasidhiaris, dy të rinjtë ishin anëtarë të kësaj partie, ndërsa e ka cilësuar këtë akt si një ekzekutim të ftohtë.

Në deklaratën për shtyp të Agimit të Aartë thuhet se: “Është një mrekulli që nuk pati dhe viktima të tjera, pasi kriminelët kishin qëllim të vrisnin këdo që gjendej në zyrat e partisë në atë moment”.

Gjithashtu, në të theksohet se ishte kërkuar edhe më parë nga policia që të ruhej kjo zyrë, pasi anëtarë të AA ishin kërcënuar disa herë se do të sulmoheshin.

Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta të policisë që kanë izoluar zonën, ndërsa hetimet i kanë marrë përsipër grupet e antiterrorit, pasi vlerësimet e para bëjnë fjalë për një sulm të ri terrorist.

Burime pranë policisë bëjnë me dije se kjo vrasje e dyfishtë mund të jetë një akt hakmarrjeje për vrasjen e të riut antifashist, Pavlo Fisa, dy muaj më parë dhe shprehen se mund të jetë një akt politik i ndonjë organizate të ekstremit të majtë.

“Shpreh ngushëllimet e mia më të thella për vdekjen e dy të rinjve dhe siguroj se do të zbatohet ligji deri në fund. Nuk do të lejojmë që vendi të bëhet një arenë e larjeve të hesapeve për çfarëdo shkaku”, ka deklaruar ministri i Rendit, Nikos Dhendias.

Edhe zëdhënësi i qeverisë ka deklaruar se vrasësit, kudo që të jenë do të përballen pa mëshirë me organet e rendit. Të gjitha partitë greke kanë dënuar këtë akt me shqetësimin se mund të shkaktojë një tension politik në vend.

Ndërkohë. karakteristike është deklarata e Panos Kammenos, kryetar i partisë së djathtë opozitare Grekët e Pavarur, se: “Ka disa persona që duan ta çojnë vendin në luftë civile”.

Top Channel