“Stream Oil”, 35 milionë USD pa paguar

01/11/2013 00:00

Qeveria ka nisur procedurat për prishjen e koncesionit të parë të madh, i cili mesa duket do të jetë në fushën e naftës.

Top Channel ka mësuar se “Albpetrol”, kompania publike që mbikëqyr koncesionet e naftës, ka filluar zyrtarisht procedurat për të prishur marrëveshjen me kompaninë kanadeze “Stream Oil”, për shkak të parregullsive në shlyerjen e detyrimeve financiare të përcaktuara me ligji.

“Stream Oil”, shfrytëzon 4 vendburime të njohura nafte dhe gazi në Shqipëri, atë të Ballsh-Hekalit, Gorisht-Koculit dhe Cakran-Mollaj në naftë, si dhe fushën gazmbajtëse të Delvinës. Por ndonëse i shfrytëzon këto burime prej disa vitesh duke nxjerrë fitime, sipas “Albpetrol”, kompania kanadeze nuk ka paguar detyrimet që i rrjedhin nga marrëveshja koncesionare, posaçërisht ato të ndarjes së prodhimit.

Sipas burimeve konfidenciale, bëhet fjalë për 50 mijë tonë naftë, 10 milionë metër kub gaz, si dhe shumë fatura të tjera për energjinë dhe shërbime të tjera të përfituara nga kjo kompani, të cilat “Stream Oil” duhet t’i kishte derdhur në “Albpetrol”, por që prej vitesh nuk e bën.

Sipas përllogaritjeve, vlera totale e dëmit shkon nga 30 deri në 35 milionë dollarë, para të cilat duhet të kishin përfunduar në arkën publike, por të cilave kompania kanadeze u është shmangur në kundërshtim me ligjin. per shkak te ketyre abuzimeve, se fundmi drejtuesit e “Albpetrol” kane shkarkuar mbi 35 punonjes te cilet e kishin detyrimin te monitoronin marreveshjet koncesionare.  

“Stream Oil” është një kompani që në të shkuarën është denoncuar shpesh nga ish opozita e majtë si e lidhur me qeverinë e atëhershme të demokratëve. Nisja e procedurave për heqjen e koncesionit të saj, përbën rastin e parë kur shteti tenton të anulojë një koncesion të madh me impakt të fortë në publik.

Top Channel