Po kërkohet “Jugosllavia e re”?

26/09/2013 00:00

Në Nju Jork zhvillohet një takim mes Ministrave të Jashtëm të disa vendeve të Ballkanit Perëndimor për një nismë të Malit të Zi për krijimin e një Unioni Ballkanik e që ka hasur edhe kundërshti.

Qeveria e mëparshme e pati miratuar projektin në një takim zyrtarësh të
Ministrive të Jashtme, por qeveria e re Rama është kundër çdo ideje të
tillë dhe që disa analistë e quajnë ndoshta me të drejtë edhe si
“Jugosllavia e Re”, e që përmban po aq republika sa ajo e vjetra, por që
kërkon përfshirjen në këtë bashkim të dy shteteve shqiptare, çka
dështoi dekada më parë. 

Në Shqipëri është folur pak për këtë nismë të Malit te Zi, por diplomati dhe analisti i njohur i çështjeve të rajonit, Shaban Murati, i cili ishtë në studion e edicionit qendror të lajmeve në Top Channel për të folur për këtë çështje. Ai ka qenë ndër të paktët që ka shkruar dhe i ka bërë një skaner të hollësishëm këtij propozimi.

Ilir Paço – Zoti Murati përshëndetje dhe mirë se erdhët në edicionin qendror të lajmeve. Së pari a i duhet Ballkanit të sotëm, vendet e të cilit jane drejt integrimit në BE, një union i tillë, pjesë e të cilit do të jenë 4 shtete të ish-Jugosllavisë dhe dy shtete shqiptare, Shqipëria dhe Kosova, e cila do të jetë sipas rezolutës 1244?


Shaban Murati
– Për të kuptuar nismën, ajo duhet parë në 3 plane. E para është në raportet mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së ku e kemi një kuadër që është procesi i stabilizim-asociimit dhe ky ka qenë kuadri që kanë ecur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ndaj ky kuadër i BE-së e bën të panevojshme. E dyta nisma imiton temën dhe nismat  të tjera në rajon, si procesi i bashkëpunimit i Europës Juglindore, ajo e Detit të Zi, ajo e Adriatikut etj etj. Këto janë disa nisma që kanë si objektiv bashkëpunimin rajonal. Ka një mbingopje nismash, që është më shumë si nevojë e qarqeve diplomatike që kërkojnë t’i gjejnë punë vetes. E treta sa për Kosovën, nisma e Malit të Zi ka një defekt të madh që nuk i jep të njëjtin status Kosovës, e kushtëzon me rezolutën e vdekur tashmë, 1244 dhe është e pamundur që një shtet i kategorisë së dytë të bëhet pjesë e një parlamenti ballkanik. Këto janë më shumë iluzione.

Ilir Paço – Mali i Zi argumenton se ky union do t’i shërbejë integrimit të përbashkët, ndërsa kujtojmë që të 6 shtetet janë në stade të ndryshme në procesin e anëtarësimit në BE. Vetë Brukseli duket se nuk është sponsor i këtij projekti?

Shaban Murati – Këtu mendoj që ka një keqpërdorim të mbështetjes që Brukseli i bën nismave. Në parim Brukseli ka përkrahur të gjithë nismat, qoftë ato që kanë dështuar, sepse Brukseli ka qenë i interesuar gjithmonë të inkurajojë bashkëpunimin në rajon. Në rastin e nismës së Malit të Zi unë mendoj që është e Malit të Zi, pavarësisht se pretendohet që ka edhe miratimin e ekspertëve të Zyrës së Komisionerit për Zgjerimin.

Ilir Paço – A është një nismë e nostaligjikëve të ish-federatës jugosllave, sepse është quajtur me ironi edhe si ëndrra e krijimit të një Jugosllavie të re me Shqipërinë brenda? A ka arkitekte rusë në këtë nismë, sipas jush?

Shaban Murati – Për arkitekt rus nuk ka indikacione deri më tani, por duket qartë një interes konstant i Serbisë për të organizuar këtë duke përjashtuar 2 shtetet e ish-Jugosllavisë, Kroaci dhe Slloveni që janë në BE dhe duke i zëvendësuar me Shqipërinë dhe Kosovën. Kjo të krijon një shije jo të mirë sepse gjithmonë ka një tërheqje të disa qarqeve në Beograd për të futur Shqipërinë në qarqet sllave.

Ilir Paço –  Cili duhet të jetë qëndrimi i Shqipërisë dhe i Kosovës, në mënyrë të veçante i Shqipërisë, që është vendi i vetëm anëtar i NATO-s nga kjo gjashtëshe?

Shaban Murati – Unë mendoj që në gjashtëshen ballkanike, ne në potencial diplomatik, jemi shteti më i rëndësishëm duke qenë që jemi shteti anëtar i NATO-s, por për fat të keq diplomacia jonë ka qenë vagoni i fundit i trenit ballkanit dhe ka lejuar veten të bëhet vagoni i fundit. Shqipëria duhet të mendohet dy herë para se t’i japë ‘ok’, po ashtu edhe Kosova nuk duhet t’i lejojë vetes pas njohjes nga 103 shtete të trajtohet akoma në Ballkan si një shtet i kushtëzuar nga rezoluta e vdekur 1244.

Top Channel