Venezuelë, qeveria lehtëson importet

26/09/2013 00:00

Qeveria e Venezuelës ka njoftuar se do të marrë masa për lehtësimin e importit të mallrave jetike, rezervat e të cilave po shterojnë.

Zëvendëspresidenti Jorge Arreaza deklaroi se qeveria po pret “shiritin e kuq” për kompanitë që kanë vullnetin për të importuar ushqime, mallra tualeti dhe pjesë mekanike.

Qeveria ka akuzuar tregtarë të paskrupujt se po përpiqen të minojnë politikat e saj të krahut të majtë. Liçencat aktuale të importit janë zgjatur automatikisht deri në fund të vitit.

Zoti Arreaza gjithashtu njoftoi se qeveria po u jep importuesve akses më të lehtë në valutën e huaj. Ai tha se masat janë aprovuar nga presidenti Nicolas Maduro, që mëngjesin e së mërkurës u kthye në vend pas një vizite zyrtare në Kinë.

Zoti Maduro pritej të fluturonte nga Pekini direkt në Nju Jork, ku do të fliste edhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Në vend të kësaj, ai fluturoi për në Karakas përmes Kanadasë, ku e kishte anuluar vizitën në Shtetet e Bashkuara për arsye sigurie.

“Kur arrita në Vancouver vlerësova informacionet që kishim marrë nga burime të ndryshme. Vendosa që të vazhdoja rrugën për në Karakas dhe të anashkaloja udhëtimin në Nju Jork, për të mbrojtur integritetin tim fizik”, tha presidenti pasi mbërriti në Venezuelë.

Ndërkohë, një tjetër lider i krahut të majtë, presidenti i Bolivisë, Evo Morales deklaroi se selia e Kombeve të Bashkuara duhet të hiqet nga Nju Jorku.

“Selia duhet të jetë në një shtet që ka ratifikuar të gjitha traktatet e OKB-së. Si mund të jemi të sigurtë në një takim të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork? Disa që nuk besojnë tek imperializmi dhe kapitalizmi ndihen fare të pasigurtë”, tha Morales.

Ndërkohë, presidenti Maduro ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se kanë refuzuar vizat për disa eksponentë të ekipit të tij, akuzë që Uashingtoni e mohon kategorikisht.

Top Channel