Francë, kapen 1.3 ton kokainë

22/09/2013 00:00

1,3 ton kokainë janë kapur nga policia në aeroportin Charles de Gaulle të Parisit. Lënda narkotike ishte vendosur në 30 valixhe në bordin e një avioni të “Air France” që vinte nga Venezuela.

Edhe pse zbulimi i saj është bërë në 11 shtator, autoritetet franceze e njoftuan vetëm tani. Për ministrin e Brendshëm, Manuel Valls, kjo është sasia më e madhe e drogës e kapur ndonjëherë në zonën e kryeqytetit francez.

Gjashtë persona u arrestuan nën akuzën e pjesëmarrjes në një rrjet ndërkombëtar të trafikimit të lëndëve narkotike. Kokaina, sipas zyrtarëve vendas, duhet të shitej në Francë me një çmim rruge që llogaritet në 200 milionë euro.

Valixhet në bordin e avionit të nisur nga Karakasi nuk ishin regjistruar në emrin e asnjërit prej pasagjerëve të tij. Në hetimin e policisë franceze po bashkëpunojnë edhe kolegët spanjollë, britanikë e hollandezë, ndërsa origjinën e drogës janë duke e verifikuar edhe zyrtarët venezuelianë.

Top Channel