Bluza me stemën e UÇK, Kaçe kërkon falje

17/09/2013 00:00

Në një intervistë për “Nova”, platforma televizive tokësore dhe satelitore greke, futbollisti shqiptar i ekipit të PAOK-ut të Selanikut, Ergys Kaçe ka sqaruar se çfarë ka deklaruar në komisionin disiplinor ku është thirrur ditën e hënë përsa i përket publikimit të fotografisë së tij me bluzën me inicialet e UÇK-së në Facebook, që ka shkaktuar reagime të ashpra në gjithë Greqinë.

Midis të tjerash Kaçe thekson se i vjen keq që me këtë veprim u ka dhënë të drejtën disa njerëzve të flasin keq për ekipin e PAOK-ut dhe tifozët e tij.

“PAOK-u më ka ndihmuar jashtë mase, më ka ndryshuar jetën mua dhe familjes dhe nuk dua që për shkakun tim të komentohet negativisht”, ka thënë Kaçe, i cili e ka kuptuar se mund të mos jetë më anëtar i këtij ekipi.

“E ardhmja ime këtu varet nga presidenti i klubit, zoti Savidhis, nga drejtuesit e klubit dhe nga sportdashësit. Besoj që PAOK-u të marrë vendimin më të mirë për mua”, është shprehur i riu shqiptar.

Në shpjegimin e tij para komisionit të disiplinës, Kaçe ka deklaruar se nuk e dinte se çfarë ishte UÇK-ja. “Bluzën e vesha sepse pashë që ishte flamuri shqiptar dhe nuk më shkoi në mendje se do të shkaktonte këtë reagim në Greqi. Po ta dija nuk do ta vishja, pasi këtu jetoj, këtu jam rritur, këtu shkova në shkollë dhe këtu është atdheu im i dytë”, ka thënë futbollisti.

I pyetur nëse e njihte historinë e UÇK-së, ai ka sqaruar se kur ka ardhur në Greqi ka qenë vetëm dy vjeç. “Madje, kur shkoj me kombëtaren shqiptare, lojtarët e tjerë më tallin se nuk flas mirë gjuhën shqipe. Tani po mësoj edhe himnin e Shqipërisë”, ka thënë ai.

Kaçe ka deklaruar gjithashtu se fotografinë me bluzën me inicialet e UÇK-së nuk e vendosi ai në Facebook, por një shoku i tij, ndërsa ka përsëritur se kërkon të falur nga ekipi të cilin e ka vënë në këtë pozitë dhe nga të gjithë grekët.

“E respektoj Greqinë. Jam rritur këtu, shumica e shokëve të mi janë grekë. Nuk do doja që grekët të mendojnë negativisht për mua dhe të më përflasin”, përfundon intervista e tij.

Drejtuesit e klubit pasi kanë dëgjuar futbollistin shqiptar kanë konkluduar që Ergys Kaçe të mos marrë pjesë në veprimtaritë e ekipit derisa të dalë vendimi për të ardhmen e tij.

Top Channel