Pasi ka humbur funksionin e para viteve ’90, stacioni i trenit në kryeqytet pushon përfundimisht së ekzistuari duke u zhvendosur në zonën e Vorës.

Për shkak të nisjes së punimeve për ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës, duke filluar nga dita e hënë, qytetarët që do të duan të përdorin trenin për të shkuar në qytete të tjera, do të duhet të nisen nga Vora.

E njëjta gjë edhe për linjat nga qytetet e tjera drejt kryeqytetit, të cilat do të përfundojnë në Vorë.

Për pjesën tjetër të udhëtimit, nga Vora në Tiranë dhe e anasjellta, Bashkia e Tiranës njofton se ka vënë në dispozicion autobusë që do të bëjnë transportin e udhëtarëve falas.

Nisja e autobusëve bëhet nga stacioni aktual i trenit, sipas orarit të nisjes së trenit dhe anasjelltas.

Për të përdorur shërbimin falas, pasagjerët duhet të kenë biletën e trenit ose abonene, që i identifikon si përdorues të linjës.

Paralelisht me zhvendosjen e shinave të trenit, Bashkia e Tiranës nisi punimet edhe për zhvendosjen nën tokë të linjës së tensionit të lartë në bulevardin “Zogu i Parë”.

“Me vënien në efiçencë të linjës, do të mundësohet zhvendosja e kabllit ajror përgjatë “Zogut të Parë” deri në Tirana 1”, deklaroi Henrik Hysenbregasi, drejtor i projekteve strategjike dhe investimeve të huaja.

“Linja e re ka një gjatësi 2,3 km dhe është ndërtuar me parametra bashkëkohorë dhe i përgjigjet zhvillimit të perspektivës së qytetit”, shtoi Sali Tocilla, drejtor i njësisë operative për Tiranën.

Punimet për linjën e tensionit të lartë, ndërtuar 15 vite më parë, pritet të përfundojnë brenda javës së parë të shtatorit dhe po kryhen nga një firmë zvicerrane dhe OST.     

Top Channel