Bllokohet tregu farmaceutik

08/08/2013 15:45

Tregu farmaceutik rrezikon të mbetet pa medikamente. Në Doganën e Tiranës prej mëse një jave janë bllokuar kamione me medikamente, madje edhe vaksina për fëmijë, që qëndrojnë në diell e nuk zhdoganohen.

Kjo, pasi pullat që vendosen në ambalazhin e medikamenteve duhet të blihen te një kompani e dhënë me konçesion për prodhimin e tyre nga qeveria, e më pas t’i dërgohen kompanive që tregtojnë medikamente jashtë vendit, gjë e cila nuk është pranuar prej tyre.

“Ky konçesionar do të marrë para, por nuk bëhet në farmaceutikë kjo punë, sepse do ta pësojë populli dhe nuk do marrë ilaçet. Një urdhër thotë të bllokohen dhe dogana është mbushur me makina me ilaçe. Ky është skandal”, deklaron Kastriot Zotaj nga shoqata e grosistëve farmaceutikë.

Ky debat ka nsiur që në muajin dhjetor mes Ministrisë së Financave, asaj të Shëndetësisë, distributorëve të medikamenteve dhe përfaqësive të kompanive të mëdha që prodhojnë medikamente.

Ata nuk pranuan që pulla të blihej nga distributorët dhe të dërgohej në kompanitë që i prodhonin ato jashtë vendit. Kjo, pasi kërkonte një tjetër investim dhe ishte një kërkesë vetëm nga Shqipëria, e cila zë një pjesë fare të vogël në tregun e tyre.

Deri më tani, tregu farmaceutik ka funksionuar pa pengesë, ndërkohë që në ditët e para të gushtit në doganë është bërë bllokimi i kamionëve, pasi i kanë vënë në dijeni për një udhëzim të Ministrisë së Financave, e cila efektin e tij e ka pasur duke filluar nga muaji shkurt.

“Edhe ne si biznes edhe zyra përfaqësuese në Ministrinë e Shëndetësisë ia kemi bërë të qartë Ministrisë së Financave, që urdhëri i saj bën që ky konçesionar të veprojë kështu. Në asnjë vend të Evropës nuk bëhen kapriço të tilla, pasi kemi të bëjmë me jetën e njerëzve”, nënvizon Zotaj.

Zotaj spjegon se kjo bëhet vetëm për të dërguar në mënyrë të padrejtë të ardhura tek kjo kompani konçesionare, ndërkohë që garanton se do të ndërpresin importin dhe kështu do të zhvillohet kontrabanda e ilaçeve.

“Proçedurat që bëhen në Qendrën e Kontrollit të Barnave janë shumë të rregullta, që nga çmimet, etj. Pse duhet ta ndryshojmë këtë, kur atje janë të gjithë specialistë? Ky konçesionar ta stakojë trurin se asnjë firmë farmaceutike në Evropë nuk pranon t’i çojmë ne pullat. Në këtë mënyrë do të lulëzojë kontrabanda”, shton Zotaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA