Sali Berisha ka hapur me shpejtësi garën për kryetarin e ri, që do të drejtojë pas shtatorit forcën kryesore të opozitës në vend dhe që, megjithëse statuti nuk parashikon qartësisht zgjedhjen e kryetarit nga anëtarësia, kryetari i ri do të dalë nga procesi një anëtar, një votë. Sali Berisha, politikani me përvojën më të gjatë dhe më intensive në vend, ka një synim të qartë, pse ka marrë këtë vendim kaq shpejt.
“Partia Demokratike ka pësuar një humbje në garë dhe ajo ka nevojë jetike për një rikthim të ri e të fuqishëm. Është në detyrën tonë, në detyrimin tonë më madhor t’i japim asaj mbështetjen totale për fillimin e saj të ri më të fuqishëm që ka patur ndonjëherë. Por, një fillim i ri do të ishte i pamundur pa një lidership të ri. Ndaj dhe ne kemi detyrën kryesore, imediate, të hapim proçedurën e zgjedhjes së lidershipit të ri. Liderishpi i ri ka fatin të mos ketë historinë në shpinë, por të ketë trashëgiminë e mirë të Partisë Demokratike, të ketë vizionin e saj, të ketë projektin e saj”, deklaroi Berisha.
Projekti i Partisë Demokratike mbetet i pandryshuar, pavarësisht zëvendësimit të lidershipit: Shqipëria vend i zhvilluar. Dhe, duke nisur me shpejtësi procesin për zgjedhjen e njerëzve të rinj në parti, Sali Berisha kërkon të mos humbet kohë për përballjen më të afërt elektorale, atë të zgjedhjeve lokale në 2015-ën. Por që procesi të realizohet me sukses ka si kusht themelor angazhimin total të anëtarësisë në zgjedhjen e lidershipit të ri. Apeli i Sali Berishës për anëtarët e Partisë Demokratike ishte i qartë dhe i thjeshtë.
“Ta konsiderojnë këtë proces si një mision jetik për fillimin e ri të fuqishëm dhe të suksesshëm të Partisë Demokratike, që secili prej tyre të kontribuojë me votën e tij në një proces që do të hedhë themelet e fillimit të ri të fuqishëm dhe të suksesshëm të Partisë Demokratike. Ne kemi qenë parti e fillimeve të reja, pavarësisht se kryetari ka mbetur, por kryetari gjithnjë ka operuar me konceptin e fillimit të ri. Tani ky është më i vërteti i të gjitha fillime të tjera, ndaj edhe unë dua që antarët e PD-së të vendosin secili një tullë me votën e vet në këtë proces, që absolutisht do ta çojë këtë forcë politike në kohën më të shkurtër në forcë fitimtare”, theksoi Berisha.
Në mbledhjen e kryesisë, anëtarët e të cilës i këshilloi të mos paraqesin dorëheqje formale, sepse pas shtatorit do të zgjidhen forumet e reja drejtuese, kryetari në detyrë i Partisë Demokratike dha një mesazh tjetër të rëndësishëm. Mesazhi ishte një leksion sesi duhet ta trajtojnë njëri-tjetrin anëtarët e forumeve aktuale në qendër dhe në bazë, të cilët kanë një emërues të përbashkët: kanë humbur bindshëm zgjedhjet në 11 nga 12 qarqe gjithësej.
“Ju e keni konstatuar vetë se unë nuk jam kurrë për gjah, ne nuk jemi parti e filozofisë së gjahut. Pse une e kam këtë, e para ne kemi filozofi tjetër, e dyta, në rrafshin njerëzor ai që humbet, ai ndjehet njeriu më fatkeq. Ai ka bërë gjithçka për të fituar, me familjen e tij, me kandidatët. Humbi, s’është mirë, por ne nuk bëjmë gjah kurrë. E kemi këtë si popull që duam koka turku por nuk jam unë me këtë filozofi, as kam qenë e as këshilloj kurrë që partia të ketë një filozofi, kjo është trashëgimi staliniste e së shkuarës sonë, bëjmë analizat”, nënvizoi Berisha.
Sali Berisha, i cili mori mbi vete të gjitha përgjegjësitë e humbjes dhe e konsideroi sërish këtë si një humbje serioze dhe shumëplanëshe, i dha përgjigje edhe një pyetjeje shumë të rëndësishme. A do të mbështesë ai në garë ndonjërin prej kandidatëve?
“Unë jam njeri i sinqertë, nëse unë do të doja të shënoja pasardhësin, ai do të dilte në shanset më të mëdha. Unë nuk do ta bëj këtë. Pse? Sepse unë do ta lë të jetë një garë e hapur. Cilido nga strukturat e Partisë Demokratike, cilido, le të vijë të hyjë në garë, por me një kusht, të pranojë garën”, u përgjigj Berisha.
Top Channel