Ministri i Shëndetësise Halim Kosova i ka bërë të qartë dhe në mënyrë të
prerë distributorëve farmaceutike, se nuk do të mund të përdorin më
rrugë korruptive, për të fituar tenderat e ilaçeve apo për të penguar
kompanitë konkurruese në treg.

Procedurat do të jenë transparente, tha ai, teksa i ftoi të merrnin pjesë në garë duke u përmendur, që nuk ka më futje ilaçesh me çanta apo me çmime të larta, për shkak të abuzimit me pagesat nën dorë.

“Do t’ju tërhiqja vëmendjen që ta fiksoni mirë në mendje të gjithë ju. Firmave farmaceutike, për të fituar një tender, për të shpërndarë ilaçe, apo për t’u hedhur në tregun shqiptar, nuk do t’i duhet asnjë lloj veprimi korruptiv apo nën dorë, qoftë për veten e tyre për krijuar lehtësira, qoftë edhe siç e kam informacionin për të bllokuar shokun apo kolegun, në dëm të çmimeve apo të furnizimit me ilace të popullatës”, tha Kosova.

Ministri i Shëndetësisë u tha se ka informacion, që ka medikamente që prodhohen në një vend dhe ambalazhohen në një vend tjetër, për të cilat kompanitë, qe do të kapen do të ndëshkohen. Por nga ana tjeter u premtoi edhe zgjidhje apo lehtësira, për regjistrimin e barnave, importin e tyre apo pullën e dyfishtë. Kosova deklaroi se kane nisur kontrollet per farmacite e shumta qe jane hapur.

“Ka një numër të jashtëzakonshëm farmacish,; përpara ka patur një lloj rregulli. Megjithatë për situatën e krijuar unë jap fjalën që do të bëjmë një kontroll, për të parë nëse këto farmaci që janë prezente, a i kanë kushtet sipas ligjit të aprovuar për këtë qëllim, në mënyrë që në treg të konkurrojnë ato që plotësojnë kushtet sipas ligjeve shqiptare”, tha Kosova.

Farmacistë “analfabetë”

Presidenti i Urdhërit të Farmacistëve, Arjan Jaupllari ka kërkuar të frenohen universitetet private që diplomojnë farmacistë. Sipas tij, ne Provimin e Shtetit të zhvilluar per farmacistet kane ngelur me shume se gjysma e kandidateve.

“Niveli i studentëve që vjen nga universitetet private është shumë i dobët dhe lë për të dëshiruar. Ne kemi këmbëngulur dhe kemi kërkuar që pragu i Provimit të Shtetit të shkojë nga 50 pikë në 70 pikë. Kemi kërkuar vendosjen e penalltisë që të bëhet një skualifikim i saktë. Unë mendoj se kemi shumë farmacistë dhe duhet ndalur diplomimi i tyre në universitetet private”, thotë Jaupllari.

Ne Provimin e Shtetit per farmacistet moren pjese 245 kandidate, nga te cilet kaluan 117. Mbetesit i perkasin atyre qe jane diplomuar ne universitetet private.

Top Channel