Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i është kthyer sërish temës së bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm.

I zhgënjyer me raportin e fundit të Komisionit Europian për vizat, shefi i ekzekutivit kosovar tha se problemi nuk qëndron në Prishtinë, por te mungesa e unitetit te shteteve të Bashkimit Europian për statusin e Kosovës.

Këto komente, Thaçi i bëri në seancën e radhës së Kuvendit. Para ligjvënesve ai tha gjithashtu se nëse Brukseli vazhdon të sillet në këtë mënyrë, atëherë shqiptarëve nuk ju mbetet tjetër alternativ veç të futen në Bashkimin Europian më së miri dhe më së lehti si një shtet i vetëm.

”Në kohën e Jugosllavisë, shqiptarët e Kosovës trajtoheshin si qytetarë të kategorisë së dytë. Për fat të keq, ka ende burokratë në Bruksel që i trajtojnë shqiptarët në të njëjtën mënyrë, me një nostalgji të ardhur nga Jugosllavia, koha e Titos apo Milosheviçit. Kjo është e vërtetë dhe e them me përgjegjësi të plotë si kryeministër. Këtë shqetësim e kam bërë publike edhe në takimet e mbyllura. Nëse procesi i integrimit të Kosovës vonohet dhe Brukseli vazhdon të sillet në këtë mënyrë, shqiptarëve nuk u mbetet gjë tjetër, përveçse t’i drejtohen Bashkimit Europian si një shtet i vetëm”, deklaroi Thaçi.

Ndërkohë, seanca e Kuvendit të Kosovës vijoi me debatin për çmimin e lartë të faturave të energjisë elektrike me theks të veçantë faturimi që është bërë gjatë muajit janar.

Top Channel