Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi nuk do të marrë pjesë në kongresin e partisë të cilën e themeloi e që mbahet këtë fundjavë.
Këtë e konfirmoi vetë kryeparlamentari nëpërmjet një letre të gjatë publike. Arsyet janë parimore dhe kanë të bëjnë me devijimin që sipas Krasniqit ka bërë Partia Demokratike dhe kreu i saj Hashim Thaçi, duke mos respektuar programin dhe vizionin e vendosur kohë më parë.
“Zgjedhjet e fundit nacionale dhe sidomos këto të fundit partiake dëshmojnë përfundimisht se kreu i PDK-së e ka nxjerrë tërësisht partinë nga shtrati i saj themeltar, jashtë programit, statutit të saj dhe rrjedhimisht jashtë të gjitha vlerave themeluese. Ai ka eleminuar çdo debat e diskutim e bashkë me këtë çdo vlerë që do të rezultonte gjithandej edhe për çështjet më jetike për vendin dhe kombin”, deklaron Krasniqi.
Krasniqi e quan kryeministrin e Kosovës një sundimtar të gjithëpushtetshëm, i cili e shfrytëzon partinë për çdo gjë e si do ai, si një pronë private me shumë cipçinj të tij, por të cilëve Krasniqi nuk ua përmend emrin.
Ata, shkruan kreu i Kuvendit të Kosovës, duet të thonë vetëm atë që mendon shefi ose të heshtin, sepse shefi mendon për të gjithë, sepse shefi i di të gjitha dhe vendos për çdo gjë, vijon letra publike e Jakup Krasniqit.
Sipas tij, edhe zgjedhjet e fundit partiake janë jashtë çdo norme statuti, jashtë vullnetit të anëtarësisë së identifkuar të partisë dhe të strukturave të saj. Kjo situatë i jep arsye atij që të mos jetë e as pjesëmarrës në kongresin zgjedhor të PDK-së.
“Përmes këtij proçesi zgjedhor, kreu i saj ka bërë zgjedhje për të kënaqur ambicjet e tij dhe vetëm të tijat, por jo zgjedhje për Kosovën dhe qytetarët e saj. Unë kam kërkuar dhe do të angazhohem për një subjekt politik që bën zgjedhje të ndershme për qytetarët e Kosovës, të cilët meritojnë një jetë më të dinjitetshme. Për angazhimin, vendimin dhe veprimin tim të mëtejshëm, qytetarët do t’i informoj në kohën e duhur”, thotë më tej Krasniqi.
Letra e kransiqit drejtuar bashkëvepruesve të tij përfundon me faktin që ai do të ndihet i lumtur nëse veprimi i tij prek sadopak membranën e ndergjegjes së tyre.
Përçarja mes Krasniqit dhe kryeministrit Hashim Thaçi duket se ka filluar kohë më parë dhe kjo dukej edhe në përgjimet e publikuara, ku Thaçi e quante Krasniqin “Jakupovski”. Kërkesa e tij për shtyrjen e kongresit deri në lirimin e Fatmir Limajt nga akuzat duket se i dha fund edhe bashkëpunimit me kryesinë e PDK-së.
Top Channel