Niveli i papunësisë në Spanjë ka arritur një tjetër rekord, me të rinjtë
e papunë që përbëjnë 55 për qind. Të dhënat zyrtare tregojnë se kuota e
papunësisë në tre muajt e fundit të 2012-ës u rrit me 1 pikë duke
arritur në 26 për qind, ose rreth 6 milionë persona.
Shifra, më e larta që nga mesi i viteve ’70, vjen pas zgjatjes së reçesionit spanjoll dhe shkurtimeve të thella të shpenzimeve.
Impakti ka qenë akut për grupmoshat nga 16 në 24 vjeç, kategori kjo që pa kuotën e papunësisë në tremujorin e fundit të 2012 të arrijë në 55.13 për qind, nga 52.34 që ishte në tremujorin e mëparshëm.
Ekonomia e Spanjës u zhyt në reçesion pasi sektori privat la miliona punëtorë të klasit të mesëm të papunë dhe ekonomia në tërësi ra duke rrënuar besimin mes biznesit dhe konsumatorit.
“Ende nuk e kemi prekur fundin dhe papunësia do të vazhdojë të bjerë në tremujorin e parë të këtij viti”, ka deklaruar Jose Luis Martinez, strateg në bankën e investimeve Citigroup.
Shifrat, të dhëna nga Instituti Kombëtar i Statistikave, tregojnë se niveli i papunësisë në Spanjë është dyfishi i mesatares së Bashkimit Evropian.
Të dhënat do të jenë një goditje e fortë për kryeministrin Mariano Rajoy, i cili vitin e kaluar parashikonte se papunësia në fund të 2012 do të ishte 24.6 për qind.
Top Channel