SHBA, lobim kundër TAP

07/01/2013 00:00

Një senator republikan nga shteti i Indianës, i ka propozuar
administratës amerikane të rreshtohet qartazi në mbështetje të
gazsjellësit Nabucco, projektit rival të variantit transadriatik, që
mbështet Qeveria shqiptare.

Richard Lugar, senator prej 35 vjetësh ka dorëzuar para Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit një raport voluminoz, ku i bën thirrje Qeverisë amerikane të mbështesë fuqimisht Nabucco-n dhe të lobojë kundër gazjellësit Transadriatik, të vetmit që përfshin Shqipërinë në rrjetin botëror të gazit, deri në vendosje sanksionesh.

Nabucco dhe TAP, janë dy konkurrentët mbetur që po luftojnë për të fituar kontratën për transportin e gazit të Kaspikut në Europë. Por dy projektet kanë gjurmë të ndryshme. I pari, e lë Shqipërinë jashtë rrjetit ndërkombëtar të gazit. Ai nis në Turqi dhe kalon përmes Bullgarisë, Rumanisë dhe Hungarisë për të përfunduar në Austri. Ndërsa projekti TAP, që mbështet Qeveria shqiptare kalon në Turqi, Greqi dhe përmes Shqipërisë përfundon në Itali.  

“Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin projektin Nabucco, i cili është strategjikisht më superior, pasi transporton menjëherë gaz në shtetet e Europës Lindore dhe asaj juglindore që janë më të varuar nga Rusia. Megjithëse ekziston mundësia që përmes projektit tjetër TAP të furnizohen disa vende të Ballkanit, këto propozime nuk janë të përfshirja në projektin aktual dhe planin e tij të financimeve” thotë Lugar në raportin e tij. Një nga figurat më të njohura në politikën e jashtme amerikane, senatori Lugar shtjellon në raportin voluminoz edhe arsyet se pse Nabucco është qartësisht më superior se TAP për interesat e politikës së jashtme amerikane në rajon.

“Ndonëse interesi i Shteteve të Bashkuara nuk qëndron në ndërtimin e Nabucco-s në vetvete, ky projekt ofron progresin më të rëndësishëm në dy objektiva. Së pari furnizon me gaz shumë aleatë europiane të Shteteve të Bashkuara në nevojë dëshpëruese për të diversifikuar burimet energjetike dhe së dyti ofron potencialin për të transportuar sasi më të mëdha gazi në të ardhmen”, vëren Lugar në raport.

Padyshim që disa aleatë të tjerë do të përfitonin nga ndërtimi i TAP, vijon raporti, por presionet energjetike ruse janë më të mëdha në vendet e Europës Qëndrore dhe Juglindore, të cilat përfitojnë më shumë nga Nabucco. ‘Për këtë arsye,- përfundon Lugar, – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë detyrim ndaj këtyre aleatëve që të flasin qartë për këtë çështje me interes të përbashkët’.

Lugar, mbështetes i Shqipërisë

Richard Lugar, përveçse një nga figurat kyçe në Senatin Amerikan për Politikën e Jashtme është një emër shumë i njohur edhe në Shqipëri. Në vitin 2004, Senatori Republikan nga Indiana ishte një nga zërat më të fortë në Senat për të ndihmuar Shqipërinë në eleminimin e armëve kimike të mbetura nga regjimi komunist. Nga programi i ndihmës që mban emrin e dy senatorëve, Nun-Lugar, Shqipëria u bë vendi i parë jashtë ish-Bashkimit Sovjetik që përfitoi 20 milionë dollarë ndihma nga Shtetet e Bashkuara për të shkatërruar armët kimike. Zoti Lugar po ashtu ka qenë një mbështetësit më të fortë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Në vitin 2006 ai ishte ndër zyrtarët e parë amerikanë që paralajmëroi se Shqipëria do të bëhej anëtare e NATO-s brenda vitit 2008. Për këto kontribute zoti Lugar, i cili ka vizituar disa herë Shqipërinë, është dekoruar nga presidenti Bamir Topi me urdhërin Gjergj Kastrioti Skëndërbeu. Lugar është senator prej 35 vitesh, por në zgjedhjet e fundit ai dështoi të marrë emërimin nga partia, duke u zëvendësuar nga republikani tjetër Richard Murdock, që do të jetë senatori i ri i Indianës.

Top Channel