Rritet kërkesa për të jetuar me qira

22/12/2012 00:00

Tregu imobilar, shitje-blerje apartamentesh, trojesh apo rezidenca
banimi lidhet ngushtë me sezonin. Sipas ekspertizës në planin
urbanistik, rezulton se kohët e fundit kemi rritje të kërkesës për të
marrë një shtëpi me qira, ndërkohë që për të blerë një apartament,
parapëlqehen hyrjet 2+1.

“Tregu imobilar në vend karakterizohet nga sezonaliteti, ku numri më i madh i transaksioneve kryhet gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë.

Gjatë vitit 2011, numri i transaksioneve për pronat rezidenciale shënon rritje, transaksionet mbi pronat komerciale kanë mbetur praktikisht në të njëjtat nivele, ndërsa kërkesa për troje ka pësuar rënie”, thuhet në dokumentin “Politikat e zhvillimit të territorit”, njëri prej “vëllimeve” të planit urbanistik. Krahasimi midis kërkesës për tipe të ndryshme pronash rezidenciale tregon se kërkohen më shumë apartamente të vogla. Gjatë vitit të fundit, kërkesa për garsonierë apo apartamente 1+1 është rritur; apartamentet 2+1 mbeten më të kërkuarat; ndërsa kërkesa për apartamente të tipit 3+1 ka pësuar rënie me rreth 5%. Edhe gjatë vitit 2011 kemi rritje të kërkesës për qira.

Rritja e kërkesës për qira përbën tashmë një tendencë afatgjatë të strukturimit të tregut, sepse që nga mesi i viteve 2000 vazhdon të ruajë trendin rritës. Tregu imobilar në Tiranë karakterizohet nga një mungesë serioze ekuilibri. Sektori formal është i paaftë të prodhojë banesa me kosto të përballueshme nga familje me të ardhura të ulëta dhe të mesme, megjithëse ndërtimet spekulative duket se po krijojnë mbiprodhim të banesave për familje me të ardhura të larta.

Politikat e strehimit në nivel qendror dhe lokal duhet të adresojnë problemet e mungesës së strehimit të përballueshëm për kategoritë e familjarëve me të ardhura të mesme dhe të krijojnë instrumente planifikimi për nxitjen e ndërtimit të banesave me kosto të përballueshme. Pjesa më e madhe e tokës për ndërtim në Tiranë është shndërruar në zonë për zhvillim rezidencial; ka shumë pak hapësirë të lirë për aktivitete ekonomike, tregtare, administrative e kulturore. Përmirësimi i kësaj situate kërkon përdorim të kujdesshëm të tokës së pakët që ka mbetur në pronësi publike, si dhe përpjekje të përqendruara për zhvillimin e qendrave dytësore me përdorim të përzier.

Gazeta “Shqip”

Top Channel